
Takimi që i jep një shans paqes dhe teston besueshmërinë perëndimore
Shkruan: Hisen Berisha
(Doktrina Trump – rikthimi i Amerikës në qendër të negociatave globale)
Takimi i sotëm në Uashington ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski zhvillohet vetëm pak ditë pas përballjes Trump–Putin në Alaskë. Ai ka përparësi diplomatike dhe strategjike të lartë, sepse vjen në një moment kritik për përpjekjet drejt paqes, drejtësisë dhe stabilitetit në Ukrainë. Trump, i rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare, tashmë është pozicionuar si lideri i vetëm që mund të negociojë drejtpërdrejt me kundërshtarët strategjikë të Amerikës dhe të sjellë rezultate të prekshme.
Presidenti Trump ka propozuar “garanci sigurie në stilin e NATO-s” për Ukrainën – një qasje që për disa mbetet e paqartë dhe që ngjall kujtimin e memorandumeve të dështuara të Budapestit.
Por ndryshe nga skepticizmi evropian, doktrina Trump shtrihet mbi bindjen se vetëm forca dhe vullneti i SHBA mund të imponojnë procese që çojnë drejt paqes së qëndrueshme. Pikërisht këtu qëndron thelbi i besimit tim se përtej kritikave, është fuqia amerikane që garanton se agresioni nuk do të shpërblehet dhe se paqja nuk do të mbetet një iluzion diplomatik.
Zelenski, nga ana e tij, vjen i palëkundur në qëndrimin kundër çdo lëshimi territorial – duke refuzuar prerazi idetë për dorëzim të Donbasit apo pranimin e aneksimit të Krimesë. Ai mbështetet nga prania e liderëve kryesorë evropianë si Macron, Starmer dhe von der Leyen, të cilët synojnë të ruajnë integritetin territorial të Ukrainës dhe të kërkojnë garanci konkrete sigurie.
Kjo i jep takimit një peshë transatlantike të jashtëzakonshme, duke e bërë jo vetëm një duel mes dy presidentëve, por një provë për unitetin dhe kohezionin e Perëndimit.
Në favor të Ukrainës mbetet mbështetja e fortë evropiane dhe qëndrueshmëria e Zelenskit në mbrojtjen e sovranitetit. Sfida kryesore qëndron tek qartësia e vizionit amerikan – nëse do të shndërrohen “garancitë e sigurisë” në një angazhim determinues, të mos mbeten në terrenin e abstraktit diplomatik? Për më tepër, sfondi i takimit është dramatik ngase sulmet e vazhdueshme ruse mbi civilët, si ai i fundit në Kharkiv me dhjetëra viktima, nënvizojnë urgjencën e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Ky takim nuk mund të kuptohet i shkëputur nga samiti i Alaskës mes Trump dhe Putin. Aty u testua jo vetëm raporti personal mes dy liderëve, por edhe arkitektura e sigurisë ndërkombëtare. Ndërsa për shumëkënd ai takim u pa si “kurtoazi diplomatike” që i dha Putinit mundësinë të dalë nga izolimi, unë besoj se ai tregoi vendosmërinë e Trump për ta rikthyer Amerikën në qendër të negociatave globale. Kritikët e akuzuan për legjitimim të Kremlinit, por realiteti është se vetëm përmes fuqisë amerikane mund të hapen kanale komunikimi që i afrojnë palët drejt paqes dhe shmangin përshkallëzimin bërthamor.
Sot, me Zelenskin, sfida është e një natyre tjetër: jo për të rikthyer Rusinë në tavolinë, por për ta mbajtur Ukrainën brenda proceseve të paqes pa kompromise të rrezikshme. Doktrina Trump nuk e sheh paqen si rezultat të pafuqisë, por si imponim të forcës dhe të interesit universal. Nëse kjo strategji shndërrohet në një marrëveshje të qartë dhe të zbatueshme, ajo do të ringrejë rolin e Amerikës si garant i rendit botëror.
Përkundër të gjithave, takimi i sotëm është një ndeshje e vështirë për Ukrainën dhe një provë për besueshmërinë e Perëndimit. Nga njëra anë qëndron Zelenski, që mbron sovranitetin e vendit të tij, dhe nga ana tjetër Trump, që kërkon një paqe të shpejtë e të qëndrueshme përmes stilit të tij të diplomacisë direkte. Suksesi i këtij takimi do matet nëse SHBA do të ofrojë angazhime konkrete, të qëndrueshme dhe të besueshme – pa kompromise territoriale – duke dëshmuar se vetëm doktrina e Presidentit Trump mund të kthejë fuqinë amerikane në garanci universale për paqe dhe stabilitet.