
Takimi Trump – Zelensky: midis garancive të sigurisë dhe dilemës së paqes
Shkruan: Hisen Berisha
Takimi i Presidentit amerikan Donald Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA shënon një moment të rëndësishëm në trajektoren e luftës në Ukrainë dhe në qasjen e Perëndimit ndaj kësaj krize të zgjatur.
Në thelb, ky takim synonte të qartësonte dy gjëra: vizionin e Trump-it për paqen dhe pritjet e Kievit për garanci të pakthyeshme sigurie.
Shtetet e Bashkuara janë potencialisht të përgatitura të japin garanci sigurie sipas një formule që kodifikohet me Nenin 5 të NATO-s, por që nuk është pjesë direkte e Aleancës, garantuar drejtpërdrejt nga Uashingtoni dhe disa vende evropiane.
Ky është një sinjal i fortë se Trump dëshiron të shmangë hyrjen e NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, por megjithatë të krijojë një mekanizëm të ri mbrojtës për Ukrainën.
Nga ana e tij, Zelensky nga “kopmpleksi i inferioritetit” personal, përkatësisht “nga ndjenja e inferioritetit gjeopolitik” si shtet, ka kërkuar më shumë se një zotim verbal: garanci të qarta për integritetin territorial, për sovranitetin e vendit dhe për vazhdimësinë e ndihmës ushtarake e financiare. Për Kievin, çdo paqe që arrihet nuk duhet të jetë në kurriz të territorit apo pavarësisë së Ukrainës.
Aleatët evropianë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksuan rëndësinë e unitetit perëndimor dhe nevojën për të mbështetur Ukrainën deri në fitore. Megjithatë, disa kryeqytete evropiane lindore, janë skeptike ndaj ideve të Trump-it për një marrëveshje të shpejtë, duke pasur frikë se ajo mund të nënkuptojë presion mbi Kievin për të pranuar kushte të papërshtatshme.
Nga ana e kundërt, Kremlini e lexon këtë lëvizje si shenjë lodhjeje të Perëndimit dhe tenton ta paraqesë ofertën e garancive amerikane si dëshmi se SHBA-të nuk janë të gatshme të përballen drejtpërdrejt me Rusinë përmes NATO-s.
Por, praktika e ndërhyrjes së aleatëve perëndimor në krye me SHBA (model që u testua edhe në rastin e Kosovës – kundër Jugosllavisë – kur ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA ma bazë ligjore nga Neni 5 i NATO) duhet t’iu shërbej si “mësim i nxjerrur” – Rusisë dhe aleatëve të saj.
Putini e përshëndeti çdo gatishmëri për negociata, nëse ato zhvillohen mbi baza që i japin avantazh Moskës. Por edhe zgjatja e pafund e luftës po e rrënon nga themelet ekonomikisht Rusinë dhe do ta detyroj të nënshtrohet nën presionin ekonomik, politik dhe ushtarak të aleatëve perëndimor. Shumë shpejt Rusia do përballet me krizën sociale që do i zbeh ambiciet etatiste të Putin.
Në këtë pritje e asociojnë edhe luftrat secesioniste të vendeve të ish bllokut lindor në BRSS – periudhë që e ktheu Rusinë në vendin me krizën më të rëndë sociale në kontinent sa që në vitin 1999 – ushtarët rus në postblloqe lypnin nëpër rrugët e Kosovës.
Kurse Putin, “perandorinë” arriti ta rindërtoj – vetëm me dominimin e antivlerave globaliste në Evropë dhe SHBA.
Në këtë kuadër, takimi Trump–Zelensky nuk ishte vetëm një shkëmbim protokollesh, por një test i madh politik.
Trump kërkon të projektojë vizionin e tij për shmangien e “luftrave të pafundme” dhe për ndërtimin e një arkitekture alternative sigurie, ndërsa Zelensky përpiqet të sigurojë që ky vizion të mos përkthehet në lëshime që cënojnë shtetin e tij. Aleatët evropianë shihen si faktor kyç për të balancuar këto dy qasje, ndërsa Putini mbetet spektatori i interesuar që pret përçarjen e Perëndimit.
Prandaj Zelensky dhe aleatët perëndimorë duhet ti adaptohen me veprimin e konceptin e strategjisë alternative të sigurisë për Ukrainën që po ofron Doktrina Trump.
E ky takim nuk i mbylli dilemat, por i bëri edhe më të qarta linjat e përplasjes politike: mes vizionit amerikan për një zgjidhje të shpejtë dhe insistimit ukrainas për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Pra, ky takim e ka zhvendosur fokusin nga pyetja nëse do të ketë paqe , tek pyetja se çfarë paqeje do të pranojnë palët.