
Takohen shokët e “Zabellës”, kujtojnë rrugën e vështirë të idealeve atdhetare
Ish i burgosuri politik, Ismail Syla përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë të ditur se një grup ish të burgosurish të cilët kanë vuajtur dënimin në “Zabella” të Pozharevacit janë takuar në Jezerc.
Syla ka bërë të ditur se biseda ka qene e fokusuar në kohën gjatë qëndrimit në burg.
“Ajo që është thelbësore, shpirtin e tyre nuk e mbyti burgu jugosllav. Prandaj një ndejë e tillë në hapësirën malore të Jezercit ka vlerë të madhe kur përtypen kujtime nga vitet 1984 e deri më sot, në Kosovën e lirë, kryeëndrrën e brezit tonë.”, ka shkruar Syla.
Postimi i plotë i Ismail Sylës:
Një ndejë verore me shokë të “Zabellës”, burgut të Pozharevcit, me ftesë të Xhevat Ademit mga Tetova. Na munguan shumë të tjerë (Nuhi Muhadri, Bajram Gashi etj. etj.) por nuk i harruam në biseda të ngrohta e pa shibla.
Secili prej këtyre të burgosurve ka histori të pasur, këmbëngulje të pathyeshme në rrugën e vështirë të idealeve atdhetare, por mbetën të njëjtët në rini dhe burrëri, ndonëse dhëmbi i kohës ka vepruar te secili prej nesh.
Secili prej tyre është libër më vete i përjetimeve jetësore, me vrojtime dhe dioptri analitike të ngjashme por edhe individuale. Pjesën më të mirë të jetës, rininë, e kaluan të mbyllur në burgje anembanë Serbisë dhe republikave jugosllave.
Ajo që është thelbësore, shpirtin e tyre nuk e mbyti burgu jugosllav. Prandaj një ndejë e tillë në hapësirën malore të Jezercit ka vlerë të madhe kur përtypen kujtime nga vitet 1984 e deri më sot, në Kosovën e lirë, kryeëndrrën e brezit tonë.
Dikujt mund t’i tingëllojmë si brez i dalë mode, por jemi me fat që këtë pjesë të jetës e jetojmë në Kosovën, e cila në të gjallët tonë nga mesjeta e robërisë serbe doli në epokën e lirisë.
Njerëzit mplaken por jo shpirti i idealit për të cilin flijuam një pjesë të jetës sonë.