Taksa është i vetmi instrument që bllokon idenë e ndryshimit të kufijve

28 shkurt 2019 | 15:26

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e ka ftuar Qeverinë e Kosovës të mos heqë dorë nga taksa për produktet serbe. Ajo ka thënë se taksa është i vetmi instrument që po e bllokon idenë e ndryshimit të kufijve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare duhet ta drejtojë presionin edhe nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri Haradinaj duhet ta mbajnë taksën ndaj produkteve serbe sepse taksa tani për tani është i vetmi instrument që bllokon idetë për ndryshimin e kufijve. Për faktin se Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur ta miratojë platformën me vijë të kuqe për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë. Taksa është i vetmi mekanizëm që bllokon dialogun”, ka thënë Tahiri.

Ajo nuk beson se mosrespektimi i kërkesës amerikane për pezullimin e taksës mund të ndikojë në raportet strategjike Kosovë – ShBA.

“Marrëdhëniet strategjike dhe miqësore me Amerikën nuk janë të thjeshtësuara në një dimension siç është taksa. Marrëdhënie strategjike Kosovë-ShBA janë ndërtuar tash e 30 vjet, që nga viti 1990. Ato bazën e kanë në vlera të qëndrueshme, siç është mbrojtja dhe përkrahja amerikane për pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e Kosovës”, është shprehur ajo. Tahiri ka treguar se taksa do të duhej të hiqej vetëm pasi Kuvendi i Kosovës ta miratojë një platformë për bisedime e cila do t’i vendoste vija të kuqe dialogut në mes të dy vendeve.

Sipas saj, zgjidhja më e mirë për ta dalë nga kjo situatë është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

“Skenari më i mirë, sipas mendimit dhe përvojës sime në proceset e negociatave që i kemi pasur me Serbinë në Rambuje dhe Vjenë, është ky: të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse në të cilën përfshihen LDK-ja dhe LV-ja, të ketë platformë të qartë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës me vija të kuqe në mbrojtje të kufijve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe delegacioni shtetëror të jetë gjithëpërfshirës sikurse edhe Qeveria”, është shprehur Tahiri.

 “Epoka e re”: Znj. Tahiri, Qeverisë së Kosovës po vazhdon t’i shtohet presioni për heqjen e taksës. Si duhet të veprojë ekzekutivi i vendit?
Tahiri: Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Haradinaj duhet ta mbajnë taksën ndaj produkteve serbe sepse taksa tani për tani është i vetmi instrument që bllokon idetë për ndryshimin e kufijve pasi që Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të miratojë platformën me vija të kuqe për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë. Taksa është i vetmi mekanizëm që bllokon dialogun. Pra, bllokon idenë e rrezikshme për çështjen e prekjes së kufijve të Kosovës. Së dyti, faktori ndërkombëtar, SHBA-ja dhe BE-ja, duhet të bëjnë presion edhe në Serbi. Nuk mjafton vetëm presioni ndaj Kosovës. Në fund të fundit, kjo taksë ka qenë vetëm reagim ndaj destruksioneve të Serbisë ndaj Kosovës. Kur do ta shohim edhe reagimin dhe presionin ndaj Serbisë për të plotësuar marrëveshjen e Brukselit që i ka shkelur ose nuk i ka zbatuar, siç është marrëveshja për energjinë etj., atëherë sigurisht se edhe institucionet e Kosovës do ta marrin në konsideratë këtë presion. Është jo e drejt që të bëhet presion vetëm ndaj Kosovës.

“Epoka e re”: Siç e kemi parë, kërkesat amerikane për këtë çështje kanë qenë permanente, prej presidentit amerikan, Departamentit të Shtetit, deri tek ambasadori në Prishtinë, të cilët kërkojnë pezullimin e taksës. A është Kosova në pozicion që të mos dëgjojë këshillën amerikane?
Tahiri: Marrëdhëniet strategjike dhe miqësore me Amerikën nuk janë të thjeshtësuara në një dimension siç është taksa. Marrëdhëniet strategjike Kosovë – ShBA janë ndërtuar tash e 30 vjet, që nga viti 1990. Ato bazën e kanë në vlera të qëndrueshme, siç është mbrojtja dhe përkrahja amerikane për pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e Kosovës, si dhe përkrahja amerikane që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me verdikt të drejtë dhe të legjitimohet pavarësia e Kosovës. Këto janë gjërat parimore që e mbajnë dhe e udhëheqin aleancën strategjike Kosovë – ShBA. Prandaj, pavarësisht prej sugjerimeve amerikane për taksën, duhet t’u jepet përgjigje e drejt se, derisa vazhdojnë idetë e rrezikshme që kërcënojnë kufijtë e Kosovës, shteti ynë nuk mund të hyjë në dialog. Pastaj Kosova ende nuk ka një ekip negociator për bisedime të cilit ia ka dhënë mandatin parlamenti. Është bërë një gjysmë delegacion i cili nuk është i plotë. Kosova duhet të përgatitet mirë për këtë dialog sepse po flasim për fazën finale. Prandaj për këtë çështje duhet të ketë unitet dhe legjitimitet.

“Epoka e re”: Kur mendoni se duhet të hiqet apo pezullohet taksa sepse qëndrimi i Qeverisë është se taksa nuk hiqet deri në njohje nga Serbia?
Tahiri: Për taksën kam një mendim timin personal. Sapo Kuvendi i Kosovës miraton platformën për bisedime me Serbinë me vijë të kuqe për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kufijve të Kosovës, atëherë mendoj se mund të hiqet taksa.

 “Epoka e re”: Tanimë ekipi negociator ka dërguar platformën për bisedime në Kuvend. E keni parë këtë dokument?
Tahiri: Nuk e kam parë. Atë platformë do ta shikoj vetëm kur të shoh se është bashkuar spektri politik rreth saj. Po ashtu, rreth asaj platforme duhet të jetë një delegacion gjithëpërfshirës i Kosovës, i cili do t’i mbrojë vijat e kuqe. Delegacioni aktual është vetëm një delegacion i pjesshëm dhe i çuditshëm. Atij nuk i dihet mandati dhe brenda këtij kemi disa qëndrime. Në njërën anë është presidenti i cili shtyn përpara idenë e ndryshimit të kufijve, në anën tjetër kemi qëndrimin e delegacionit. Pastaj brenda këtij delegacioni kemi tre përfaqësues të PSD-së, që ende nuk dihet se çfarë legjitimiteti gëzon tek qytetarët ky subjekt politik. Kurse partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK-ja, e ka vetëm një përfaqësues. Këtu nuk po shoh legjitimitet, sepse është shkelur demokracia. Ky delegacion nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm.

“Epoka e re”: Meqenëse LDK-ja dhe LV-ja nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij delegacioni dhe, po ashtu, kanë paralajmëruar se nuk do ta përkrahin platformën, cila duhet të jetë zgjidhja për të dalë nga kjo situatë?
Tahiri: Skenari më i mirë, sipas mendimit dhe përvojës sime në proceset e negociatave që i kemi pasur me Serbinë në Rambuje dhe Vjenë, është ky: të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse në të cilën përfshihen LDK-ja dhe LV-ja, të ketë platformë të qartë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës me vija të kuqe në mbrojtje të kufijve dhe Kushtetutës së Kosovës si dhe delegacioni shtetëror të jetë gjithëpërfshirës sikurse edhe qeveria.

“Epoka e re”: Si do të dukej kjo qeveri?
Tahiri: Kjo qeveri gjithëpërfshirëse do të duhej t’i përfshinte partitë e mëdha në Kuvend. Këtu kam parasysh partitë e koalicionit qeverisës, LDK-në dhe LV-në. Nëse nuk mund të arrihet 100 për qind uniteti, e rëndësishme është që kjo Qeveri të jetë gjithëpërfshirëse. Pa partitë e mëdha të opozitës nuk mund të krijohet një gjithëpërfshirje. Pra, ajo do të duhej të dukej si Qeveri e unitetit për aq sa është e mundshme. Nuk duhet të shkohet në bisedime kështu siç po tentohet të bëhet tani, sepse ne e dimë se qeveria aktuale nuk përfaqëson elektoratin e shumicës shqiptare. Ne e dimë se LDK-ja dhe LV-ja sot përfaqësojnë shumicën shqiptare në skenën politike të Kosovës.

 “Epoka e re”: Kush do të duhej ta udhëhiqte këtë qeveri?
Tahiri: E para, mendoj se kryeministri aktual Ramush Haradinaj është duke i mbrojtur shkëlqyeshëm kufijtë e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, kur partitë hyjnë të gjitha në bisedime për një qeveri gjithëpërfshirëse, nuk mund të paragjykoj se si do të vendosin ato. Një parim demokratik është se partia më e madhe në vend, që tani është LDK-ja, i takon ta udhëheqë një qeveri të tillë.

“Epoka e re”: Sa do të mund të zgjaste kjo qeveri?
Tahiri: Zakonisht, kur në vende ndodhin zhvillime të mëdha, siç është kjo marrëveshje, ajo qeveri, do të duhej të jetë në pajtim me interesat nacionale të Kosovës. Nëse vjen një marrëveshje në Kuvend dhe miratohet, atëherë zakonisht zgjedhjet janë normale. Por, për këtë duhet të vendosin vetë partitë politike.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Vinca Ditën që në gazetën “Dita” u botuan kujtimet…