Taktikat si në filma të Aziz Gashit për të shpëtuar nga Policia, tentoi të maskohej në malet e Tërpezës

07 shtator 2023 | 09:25

Problemi 10-vjeçar në mes të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ndodhi para disa ditësh në Prizren dhe 48-vjeçarit që u qëllua për vdekje në sy të fëmijës dhe gruas dyshohet se është motivi i këtij incidenti tragjik.

I dyshuari Aziz Gashi u arrestua nga Policia ditën kur u shpall në kërkim pasi u gjet në afërsi të fshatit Tërpezë të Malishevës. Hetimet Rajonale dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë ranë në gjurmët e tij pas disa kërkimeve, përkundër që i dyshuari e planifikoi arratisjen dhe tentoi të shpëtojë sikur në filma, raporton Gazeta Sinjali.

Si iku Aziz Gashi dhe ku u strehua natën kur e vrau Beqir Morinën?

Krimi ndodhi në lagjen “Arbana”, në orët e mbrëmjes së 3 shtatorit, ku pas një konflikti verbal në mes të të dyshuarit dhe viktimës, ky i fundit u qëllua nga Aziz Gashi me një pushkë automatike, të cilën e mori në shtëpinë e tij pasi u kap me të ndjerin.

I dyshuari Gashi fillimisht e ka gjuajtur viktimën 3 herë me armë, e më pas edhe e ka goditur duke e rrëzuar përtokë dhe për të mos mbaruar me kaq, aty e la të vdekur në vend, duke e ekzekutuar me 10 plumba në kokë.

Të shtënat e pandërprera me armë tronditën banorët përreth, ndërsa i dyshuari Gashi ia mbathi me dhe u largua me shpejtësi me veturën e tij, të cilën e braktisi në një rrugë.  Kërkimet për të filluan qysh atë natë, por Policia nuk arriti ta gjejë në lokacionet që u bastisën, e as në shtëpinë e tij.

Për të shpëtuar nga prangat e Policisë, menjëherë pas rastit tragjik, Gashi kishte marrë drejtimin për te shtëpia e motrës së tij, në një fshat të Malishevës, ku gjeti strehë natën e 3 shtatorit, ku u gjet edhe arma e përdorur në rast pas bastisjes nga ana e njësive policore.

Njësitë policore që u angazhuan për kapjen e tij vazhduan patrullimet jashtë komunës së Prizrenit dhe arritën ta gjenin të dyshuarin në malet e fshatit Tërpezë në Malishevë. Kjo ishte pjesa e parë e planit të të dyshuarit që nuk i funksionoi, përkundër që përdori disa trika për ta vënë Policinë në lajthitje.

Tentativa e tij për t’i shpëtuar prangave të Policisë me taktika sikur në filma nuk i kryen punë të dyshuarit, Aziz Gashi. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se derisa Policia po vazhdonte kontrollin në mal, hasën në një person, që kishte vendosur një kapelë dhe arriti që të mos bënte lëvizje të dyshimta, në mënyrë që mos të bie në sy.

Sikur të mos ndodhte asgjë, Gashi dyshohet se ishte prezantuar rrejshëm para zyrtarëve policorë, duke dhënë informacione të rreme për identitetin e tij, gjoja se është një person tjetër. Ai ka shkuar edhe më larg, sa në pyetjet e Policisë gjatë verifikimit të tij, ai kishte treguar edhe “vendbanimin” e tij, në mënyrë që të shpëtonte.

Mënyra e tij për ta kamufluar veten e për të fshehur e maskuan veprimet e qëllimet e tij vetëm sa ngritën dyshimet dhe si rezultat Policia e shoqëroi të dyshuarin në stacion policor, ku i njëjti u identifikua dhe u konfirmua se bëhet fjalë për të dyshuarin e vrasjes në Prizren.  

Pasi i dyshuari vendosi të mbrohet në heshtje, duke mos u deklaruar asgjë lidhur me veprën për të cilën ngarkohet, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, me ç’rast gjatë ditës së sotme, Gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore ku është marrë vendimi.

Gjatë mbajtjes së seancës, i dyshuari ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur, teksa ka pretenduar se konflikti me viktimën daton që shumë vite.

“Me vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se mvjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull m’u kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt”, ka thënë i dyshuari Gashi.

Pas përfundimit të seancës, Gjykata ka lëshuar njoftim, ku ka bërë të ditur se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

 “Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje i pandehuri, të dëmtarit dhe dëshmitarët eventual, dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se i pandehuri do të pengojë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojë n dëshmitarë apo tek të dëmtuarit, me të cilët kanë jetuar në fqinjësi deri në ditën kritike. andaj është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte (e enjte) e zhvillon…