
Talat Xhaferi viziton AKB-në, vlerëson rolin e saj si urë lidhëse mes komuniteteve të biznesit
Drejtues të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) kanë pritur në Prishtinë Talat Xhaferin, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Xhaferi u prit nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini, dhe anëtari i kryesisë Shkëlzen Jusaj.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur mbi mundësitë për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me synim krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset nga të dyja vendet.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të madh për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Roli i AKB-së si urë lidhëse mes komuniteteve të biznesit është i pazëvendësueshëm”, u shpreh Talat Xhaferi gjatë takimit.
Nga ana tjetër, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se AKB-ja mbetet e përkushtuar që përmes partneriteteve rajonale të lehtësojë lëvizjen e mallrave, investimeve dhe ideve, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Në fund, të dyja palët u pajtuan për të vazhduar komunikimin dhe nismat konkrete që do të ndihmojnë bizneset në të dy vendet të rriten dhe të jenë më konkurruese në tregjet rajonale dhe më gjerë.