Tare është zgjedhja e parë për Milanin

20 maj 2025 | 12:51

Kontaktet mes Igli Tares dhe Milanit nuk janë shkëputur kurrë. Prej muajsh, klubi kuqezi po kërkon një drejtor sportiv “klasik”, siç ka thënë edhe administratori Giorgio Furlani në një intervistë për Sportmediaset. Që prej atij momenti, shumë emra kanë qarkulluar për pozicionin e lirë në Milanello: Paratici, Sartori, D’Amico, Manna, Congerton, por njëri ka mbetur gjithmonë në lojë: Igli Tare.

Ish-drejtuesi i Lazios shihet si kandidat shumë serioz për t’u bërë drejtori sportiv i ri i Milanit. Sipas mediave italiane, ditët e fundit ka pasur një kontakt telefonik mes Tares dhe drejtuesve të Milanit, me një marrëveshje për të biseduar sërish së shpejti. Madje në fund të prillit janë zhvilluar edhe dy takime mes Tares dhe Furlanit, ku është diskutuar vizioni për Milanin e së ardhmes.

Më pas, gjithçka kaloi në heshtje për shkak të përqendrimit te finalja e Kupës së Italisë dhe diskutimeve të brendshme në klub për një vendim që konsiderohet thelbësor për projektin afatgjatë të Milanit. Tani që sezoni është praktikisht i mbyllur, pritet që të merret vendimi përfundimtar.

Edhe pse aktualisht nuk është planifikuar një takim zyrtar për të firmosur marrëveshjen, nga ambientet e brendshme të klubit kuqezi buron një ndjenjë optimizmi për një përfundim pozitiv të tratativës.

Nga ana tjetër, Igli Tare nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u bërë pjesë e Milanit. “Milani është një objektiv për të gjithë. Të punosh për një klub historik dhe me famë si ky do të ishte një nder i madh”, ka deklaruar më herët Tare për La Stampa. Ai është i gatshëm për një rikthim në skenën e madhe pas një kohe pushimi dhe e sheh Milanin si mundësinë e duhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Spanjë nuk ka më asnjë dyshim: Hansi Flick rinovon…