Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, rrezikohen edhe tregtarët kosovarë

14 tetor 2025 | 11:19

Tarifat e reja të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, mbi drurin e importuar, mobiliet dhe dollapët e kuzhinës hynë në fuqi të martën.

Masat më të fundit përfshijnë një tarifë prej 10 për qind mbi importet e drurit të butë, ndërsa detyrimet mbi disa mobilie të mbështjella dhe dollapë kuzhine nisin nga 25 për qind.

Mobiliet, dyert dhe dritaret, materialet ndërtimore prej druri janë ndër eksportet kryesore të Kosovës në ShBA në vitet e fundit.

Nga 1 janari, norma për mobiliet e mbështjella të importuara pritet të ngrihet në 30 për qind, ndërsa ato për dollapët e kuzhinës do të ngrihen në 50 për qind.

Megjithatë, detyrimet për produktet prej druri nga Britania nuk do të kalojnë 10 për qind, ndërsa ato nga Bashkimi Evropian dhe Japonia do të përballen me një tavan prej 15 për qind.

Të tre partnerët tregtarë kanë arritur marrëveshje me administratën Trump për të shmangur tarifa më të ashpra.

Ende nuk është e qartë se çfarë tarifa do të vlejnë për Kosovën, që tashmë ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të importuara nga SHBA-ja.

Arieta Vula, nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, thotë se shpreson që institucionet e Kosovës do të reagojnë sa më shpejt për ta njoftuar sektorin se si do të preken ata dhe të tentojnë të arrijnë gjithashtu marrëveshje me ShBA-në që tarifat sa më të ulëta të vlejnë për Kosovën.

“Ne kemi eksport nga ana e ndërmarrjeve të drurit drejt Evropës dhe ShBA-së, mirëpo për ShBA-në duhet të sqarohen këto dilema dhe pikëpyetje sepse kjo mund ta vështirësojë eksportin drejt ShBA-së”, thotë Vula për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se, edhe pse eksporti në SHBA nuk është shumë i madh, ai ka filluar të rritet dhe tarifat do ta bënin eksportin të paleverdishëm në disa mënyra.

“Prodhuesit do ta zvogëlonin eksportin sepse fillon e zvogëlohet kërkesa për të marrë produkte nga Kosova prej ShBA-së. Në momentin kur atyre u rritet tarifa, ata kërkojnë në tregjet ku e kanë tarifën më të vogël”, shton ajo.

Megjithatë, ajo sqaron se një tarifë potenciale nuk do ta ndikonte çmimin e këtyre produkteve për konsumatorët kosovarë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, detyrimet doganore u vendosën për të forcuar industrinë amerikane dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ato bëhen pjesë e një sërë tarifash të veçanta sektoriale që Trumpi ka vendosur që prej rikthimit të tij në presidencën amerikane.

Por, tarifat e reja do të “krijojnë pengesa shtesë për një treg banesash tashmë të vështirë, duke rritur më tej kostot e ndërtimit dhe rinovimit”, paralajmëroi kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shtëpive (NAHB), Buddy Hughes.

Duke vendosur tarifat e fundit, Trump tha se Sekretari i Tregtisë kishte zbuluar se “produktet e drurit përdoren në funksione kritike të Departamentit të Luftës, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës për testime operacionale”.

Deklarata e Trumpit shtoi se prodhimi amerikan i drurit “mbetet i pazhvilluar”, duke e lënë vendin të varur nga importet.

Por, Hughes nga NAHB-ja tha se “vendosja e këtyre tarifave nën pretekstin e ‘sigurisë kombëtare’ injoron rëndësinë që ka banimi për sigurinë fizike dhe ekonomike të të gjithë amerikanëve”.

Ai bëri thirrje për një marrëveshje që “të zhbëjë tarifat mbi materialet e ndërtimit”.

Edhe Kanadaja, furnizuesi kryesor i drurit për Shtetet e Bashkuara, pritet të preket.

Tarifa 10 për qind mbi drurin shtohet mbi detyrimet aktuale që SHBA-ja ia ka rritur së fundi në 35 për qind.

Kjo do të thotë se veprimi më i fundit i Trumpit e çon tarifën e përgjithshme për drurin kanadez në 45 për qind.

Stephen Brown nga Capital Economics i tha AFP-së se, me 30 për qind të drurit që buron nga jashtë, një tarifë 10 për qind mund të rrisë koston e ndërtimit të një shtëpie mesatare për 2.200 dollarë.

Brown shtoi se Kina, Vietnami dhe Meksika përbëjnë pjesën më të madhe të importeve amerikane të mobilieve.

Ai pret që Vietnami të përballet me ndikimin më të madh “pasi mobiliet përbëjnë 10 për qind të eksporteve të tij drejt ShBA-së”.

Tarifat u vendosën në bazë të Nenit 232 të Aktit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, e njëjta dispozitë që Trumpi përdori për të vendosur tarifat mbi çelikun, aluminin dhe automjetet këtë vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
REL - Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, përballet me protesta…