
Tarifat tregtare, Kina dhe ShBA do të diskutojnë për herë të dytë në Londër
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, do të zhvillojë një takim me një delegacion amerikan në Britaninë e Madhe javën e ardhshme, në kuadër të bisedimeve për çështjet tregtare. Sipas deklaratës zyrtare, ai do të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar nga data 8 deri më 13 qershor, me ftesë të qeverisë britanike.
He Lifeng do të drejtojë takimin e parë të Mekanizmit të Konsultimeve Ekonomike dhe Tregtare Kinë–SHBA, së bashku me përfaqësues të lartë të administratës amerikane. Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur të premten se këto bisedime do të zhvillohen në Londër ditën e hënë, me synimin për të arritur një marrëveshje në kuadër të mosmarrëveshjeve tarifore mes dy vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump konfirmoi përbërjen e delegacionit amerikan, i cili do të përfshijë Sekretarin e Financave, Scott Bessent, Sekretarin e Tregtisë, Hoëard Lutnick, si dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të Shtëpisë së Bardhë, Jamieson Greer.
Ky do të jetë takimi i dytë mes përfaqësuesve të Kinës dhe SHBA-së që nga rikthimi i Donald Trump në presidencë. Takimi i parë, i mbajtur në mes të majit në Gjenevë, kontribuoi në uljen e përkohshme të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, të shkaktuara nga vendosja e tarifave të reja doganore nga ana e SHBA-së.
Megjithatë, pas këtij takimi, Trump akuzoi Kinën për mospërmbushje të kushteve të dakorduara për deeskalimin. Në muajin prill, SHBA rriti tarifat për mallrat kineze në 145 për qind, ndërsa Kina reagoi duke rritur tarifat për importet amerikane në 125 për qind.