Tatimet sjellin 794.3 milionë euro në arkën e shtetit

10 tetor 2025 | 16:32

Gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2025, në Kosovë janë mbledhur gjithsej 794.3 milionë euro të hyra tatimore, që përfaqësojnë një rritje prej 86.4 milionë euro, ose 12.2% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Këto rezultate reflektojnë përmirësimin e vazhdueshëm të mbledhjes së të hyrave, si dhe angazhimin e ATK-së për të forcuar integritetin tatimor, luftuar ekonominë joformale dhe përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve.

Në këtë vit fiskal, ATK-ja ka njoftuar se është e përkushtuar të arrijë projeksionet e planifikuara të të hyrave, të cilat do të jenë premtuese për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

“Kjo rritje dëshmon për besimin në sistemin tatimor dhe bashkëpunimin e mirë me komunitetin e bizneseve dhe qytetarët. Menaxhmenti i lartë i Administratës Tatimore do të vazhdojë të forcojë mekanizmat raportues, informues dhe edukues, me qëllim që të rrisë transparencën, të përmirësojë komunikimin me tatimpaguesit dhe të promovojë një kulturë tatimore gjithëpërfshirëse. Këto veprime janë pjesë e angazhimit të ATK-së për të ndërtuar një sistem tatimor më efikas dhe më të drejtë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe forcimit të financave publike”, ka njoftuar ATK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për asambliste e PDK-së në Pejë, me numër 13,…