
Taulant Balla e humb “shkëlqimin” në sytë e Ramës, Damian Gjiknuri ia merr postet
Taulant Balla e ka humbur shkëlqimin para syve të Edi Ramës. Edhe pse u shpall deputeti më i votuar në zgjedhjet e 25 prillit, Balla nuk do të mundet të mbajë dy “dy kunguj” nën sqetull, siç u shpreh kryeministri. Ai ka humbur të enjten postin e numrit dy të selisë rozë, si dhe është larguar edhe nga drejtimi i PS-së në Qarkun e Elbasanit. Është Damian Gjiknuri që ka shkaktuar sërish tërmet duke marrë të dy detyrat e Ballës, numrin dy në PS dhe qarkun e Elbasanit.
Katër vite më parë Taulant Balla shënoi një ngjitje të menjëhershme në politike madje duke marrë dhe detyrat e Gramoz Ruçit në PS.
Por vetëm pas një mandati ai do të jetë vetëm kryetar i grupit parlamentar. Balla e ka humbur shkëlqimin para syve të shefit të tij.
Edhe pse u shpall deputeti më i votuar në zgjedhjet e 25 prillit, nuk mundet më të mbajë “dy kunguj” nën sqetull.
“Gjatë këtij mandati duhet të jetë e fokusuar në rritjen sasiore por dhe cilësore të aktivitetit politik të deputetëve jashtë sallës së Kuvendit”.
Rama ka vendosur ta largojë edhe nga drejtimi i Elbasanit, qark në të cilin ka lindur.
“Detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS do ta mbulojë Damian Gjiknuri, Elbasanin Damian Gjiknuri.”
Taulant Balla përveç postit të numrit dy të selisë rozë, është larguar me pahir nga drejtimi i PS-së në qarkun e Elbasanit, duke u zhvendosur në Fier.
“Fierin do ta drejtojë Taulant Balla.”
Në të dy pozicionet ai do të zëvendësohet nga Damian Gjiknuri, para të cilit do të raportojë edhe vetë.
“Nuk është çështje kungujsh por përgjegjësish. Unë do të mërzitem me kryesocialistin Rama nëse qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme e të domosdoshme për ti kthyer atë borxh që PS i ka për mandatin e tretë”.
Vendimin Balla duket se nuk e ka mirëpritur teksa ndiqte kryesocialistin në sallë. Madje me jo pak ironi i është përgjigjur përballë mediave.
“Do jem mes Elbasanit dhe Fierit. Nuk bien tërmete në Elbasan. Koha do tregojë që për atë që unë po them sot kam shumë të drejtë. Unë jam bërë deputet i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe për çudi edhe atëherë kam qenë deputeti më i votuar. Ne gjithmonë ne kemi rifreskuar”.
Gjiknuri nga ana e tij shprehet se detyrat i janë dhënë pas rezultateve që ai ka marrë në qarkun e Vlorës.
“Në Vlorë kam pasur një rezultat të shkëlqyer për 2 palë zgjedhje, rezultati më i thellë historik që është arritur ndonjëherë në Shqipëri. Duke bazuar në këtë eksperiencë elektorale do të vazhdoj të bëj më të mirën”.
Në ndryshimet e drejtuesve të qarqeve vihet re dhe largimi i Ilir Beqajt nga Shkodra, Ervin Bushati nga Tirana, dhe Safet Gjicit nga drejtimi i Kukësit.