
Të dehur dhe agresivë: Dy djemtë e ish-Miss Shqipëria sherr në një klub, rrahën edhe policin
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e dy djemve të ish-Miss Shqipëria, Valbona Selimllari.
Të dy, Deni dhe Kejni Selimllari, përkatësisht 21 dhe 18 vjeç, u arrestuan në orët e para të mëngjesit të djeshëm pas një incidenti të dhunshëm në zonën e Bllokut në Tiranë.
”Të rinjtë ndodheshin në një lokal nate në Bllok, në gjendje të dehur, kur nisën të bërtisnin dhe të shqetësonin klientët e tjerë dhe stafin. Sipas burimeve policore, kamarierët janë detyruar t’i nxjerrin jashtë për shkak të sjelljes së tyre agresive, por edhe jashtë lokalit, vëllezërit kanë vijuar me britma, zhurma dhe ofendime në rrugë”, shkruan JOQ Albania.
Një efektiv policie, i cili ndodhej pranë vendngjarjes, është përpjekur të ndërhyjë për të qetësuar situatën, por është sulmuar fizikisht nga të rinjtë.
”Ata e kanë ofenduar dhe më pas e kanë goditur me grushte efektivin, duke e detyruar Policinë të kërkojë përforcime”.
Menjëherë në vendngjarje ka zbarkuar patrulla e Komisariatit Nr. 2, e cila ka ndërhyrë për të shoqëruar Deni dhe Kejni Selimllarin në ambientet e komisariatit.
Por edhe pas shoqërimit, sjellja e tyre ka mbetur agresive. Burime brenda Policisë atje, sipas JOQ, bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë thyer një kamerë sigurie, kanë dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit dhe kanë kërcënuar punonjësit e policisë.
Ndaj tyre pritet të ngrihen disa akuza, përfshirë kundërshtim dhe goditje të punonjësit të rendit publik, dëmtim prone dhe kanosje ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit në Shqipëri.
Hetimet për rastin janë në vijim.