Të dhënat enciklopedike për Pristineli Mesihin

01 shkurt 2024 | 08:45

Nga: Hasan Kaleshi (pjesë nga vepra “Kontributi i shqiptarëve në diturinë islame”)

Për Mesihun nga Prishtina (Pristineli Mesihi) thuajse na mungojnë krejtësisht të dhënat. Duket të ketë lindur aty kah viti 1470. Vetë mbiemri i tij e tregon se është nga Prishtina dhe thuajse të gjitha burimet e thonë se është me origjinë shqiptare. Duhet të ketë kryer ndonjë medrese këtu në Kosovë apo në Maqedoni, e pastaj ta ketë vazhduar medresenë edhe në Stamboll.

U dallua në kaligrafi. Pasi i kreu studimet, hyri në shërbim të vezirit të madh Hadim Ali pasha, si sekretar i tij. Në këtë detyrë mbeti deri në vitin 1511, kur u vra Ali pashai. Vdiq në Bursë më 1512. Ka lënë pas vetes një divan (përmbledhje) vjershash, që merret si shkalla më e lartë e poezisë turke të asaj kohe, kurse vetë turqit e konsiderojnë si lirikun më të madh para Bakisë, Fuzulisë dhe Jahja bej Dukagjinit.

E hartoi edhe një vepër me titull “Sehrengiz” (e cila është vepra e parë e poezisë humoristike në letërsinë turke). Pas këtij, kjo gjini u bë shumë popullore dhe lindën një varg epigonësh të rinj. Mirëpo, famën botërore Mesihu e fitoi me vjershën me titull “Kënga e pranverës” (Behariye), e cila është vjersha e vetme e poezisë turke e cila ka hyrë në antalogjitë e poezisë botërore. Qysh në vitin 1774, orientalisti anglez Ser Vilijam Xhons e futi këtë vjershë në një përmbledhje, “Vjersha të Azisë”, përkthyer latinisht. Në vitin 1787 këtë vjershë e ribotoi Toderini në veprën e vet “Letteratura turchesca”, botuar në Venedik, mandej pasuan dy përkthime në gjuhën gjermane, një nga Viland dhe një nga Hammer Purguhtal.

Dora D’Istria, të cilën e njohim edhe për nga interesimi i saj për letërsinë popullore shqiptare, e përktheu në gjuhën franceze; Misho e futi në biografinë e përgjithshme; Resheri dhe Annemari Shimel e përkthyen përsëri në gjuhën gjermane dhe më në fund Ettore Rossi në gjuhën italiane e botoi në “Oriente Moderno”, pak para vdekjes. Para afër dhjetë vjetësh hyri në një antologji gjermane të vjershave më të bukura të poezisë botërore, “Orfej”. Fehim Bajraktareviqi para dhjetë vjetësh e përktheu në gjuhën boshnjake. Edhe kjo vjershë e Mesihut dallohet nga vjershat e kohës. Është refleks i plotë i ndjenjave dhe idealeve jetësore të Mesihut; na e paraqet Mesihun e vërtetë, i cili ndodhej rrallë në vendin e punës, më shpesh nëpër kafenetë e bahçet, e kjo është refleks i një botëkuptimi anakreon, fahizian. Si e tillë, duke pasur një notë të përgjithshme humaniste, mundi t’i kalonte kufijtë e Turqisë. Ja vetëm disa vargje:

Dëgjo si këndon bilbili; ja, erdhi pranvera,
Në çdo bahçe lulet çelën; ja, vallja si po merr.
Dhe prej drurit të bajames behari vjen fluturim,
Pijë dhe bëj qejf, se shpejt kalon ky zgjim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë…