Të dyja partitë duhet të bëjnë kompromise

23 janar 2020 | 17:40

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, ka bërë me dije se për të arritur te marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të bëjnë kompromise.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka ftuar liderin e LV-së, Albin Kurti dhe atë të LDK-së, Isa Mustafa, që t’i kthehen tavolinës së bisedimeve për ta përmbyllur marrëveshjen brenda kësaj jave.

Rexhepi ka thënë se përgjegjësia më e madhe për kompromis i takon LV-së, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas tij, dërgimi i vendit në zgjedhje të reja do të ishte një gabim i madh i të dyja subjekteve politike.

“Epoka e re”: Z. Rexhepi, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje edhe tre muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. Pse?
Rexhepi: Qëndron fakti që thoni ju, se për një kohë të gjatë LV-ja dhe LDK-ja nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare, sado që ato marrëveshje preliminare kanë arritur t’i mbajnë, të cilat kanë pasur të bëjnë me programe dhe disa çështje të qeverisë. Megjithatë, të gjithë kemi pritur se marrëveshja përfundimtare do të ndodhë më shpejt. Bazuar në deklaratat parazgjedhore dhe paszgjedhore të zyrtarëve të dy partive, çdo qytetar ka pritur se lidershipi i LV-së dhe lidershipi i LDK-së do ta përfundojnë këtë marrëveshje mbi bazën e saj se si duhet të ndahet pushteti midis dy partive, kur njëra ka fituar 29 deputetë e tjera 28. Po ta lexojnë drejt këtë rezultat edhe LV-ja dhe LDK-ja, mendoj se u kanë hyrë në hak qytetarëve dhe elektoratit që i kanë votuar. Tanimë jemi ku jemi. Ka pasur përpjekje dhe lëshime për marrëveshjen nga të dyja anët, qoftë nga lideri i LV-së apo qoftë nga lideri i LDK-së. Ashtu siç ka deklaruar LDK-ja pas mbledhjes së fundit të kryesisë, unë besoj se brenda kësaj jave është e rendit t’i jepet përkrahje e plotë e vazhdimit të negociatave në mënyrë që të arrihet marrëveshja përfundimtare.  Mbi bazën e atyre dy propozimeve ta gjejnë një kompromis, qoftë në modelimin e qeverisë apo në çështjen e presidentit. Kështu që t’i japim fund kësaj odisejade politike.

“Epoka e re”: Janë bërë publike dy propozimet përfundimtare të LV-së dhe të LDK-së, ndërsa zyrtarët e të dy partive kanë thënë se nuk do të lëvizin nga ato qëndrime. Si mund të arrihet një kompromis, pra kush duhet të lëshojë pe?
Rexhepi: Nuk do të thosha se kush duhet të lëshojë pe sepse nuk është aty çështja. Megjithatë, unë mendoj se ka rëndësi të lexohet drejt rezultati zgjedhor. Dorën në zemër, në këtë rast LV-ja duhet ta marrë përgjegjësinë më të madhe, por edhe LDK-ja duhet ta di se ka nevojë për një kompromis final. Propozimet e fundit të dy subjekteve politike nuk i llogariti si propozime përfundimtare, sepse mendoj se duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare. Duhet të shikohet modelimi i qeverisë, duke shtuar numrin e ministrive si dhe të jepet mendimi për çështjen e presidentit që është kërkuar nga LDK-ja. Tri pozitat kryesore nuk mund t’i ketë vetëm njëra parti, pra cilado qoftë ajo parti. Siç e dini, unë më herët kam dhënë mendimin personal që të ndahet pozitat e kryetarit të Kuvend dhe qeverisë, kurse presidenti të mbetet për më vonë për t’u diskutuar. Kjo nuk ka ndodhur, sepse tani kryeparlamentari është zgjedhur në mënyrë legale dhe legjitime, ndërsa tani është çështja te vullneti i Vetëvendosjes, si e vlerëson ajo këtë situatë të re. Pra, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Unë nuk dua të propozoj asgjë konkrete në këtë drejtim, sepse këto i kam bërë në forumet e partisë. Shpresoj se kësaj çështje i ka ardhur fundi dhe brenda kësaj jave t’i themi po këtij koalicioni.

 “Epoka e re”: LDK-ja po kërkon postin e kryeparlamentarit, kurse LV-ja ka thënë se kjo është çështje e mbyllur. Si të veprohet me këtë post?
Rexhepi: Për mendimin tim kryeparlamentari tashmë është zgjedhur, është legal dhe legjitim. Unë personalisht nuk dua të flas se si duhet ta gjejnë modelin e kompromisit. Se qysh do t’i ndajnë ministritë, jo qysh ka qenë më herët, si dhe pajtimi i plotë i LV-së lidhur me propozimin dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit bashkë me LDK-në i takon lidershipit të dy partive të vendosin. Pra, duhet të ekzistojë një pajtim mes partive për këto çështje. Mendoj se kjo do të arrihet brenda këtyre ditëve, nëse kanë vullnet ta bëjnë një gjë të tillë. Besoj se ka ende kohë që mund të zgjidhet ky problem.

“Epoka e re”: Çfarë nëse këto dy parti s’arrijnë të pajtohen për bashkëqeverisje?
Rexhepi: Për hir të kontratës që kanë pasur me elektoratin LV-ja dhe LDK-ja, pavarësisht prej dallimeve që kanë pasur dhe kanë, besoj se nuk ishte dashur të vijnë deri në këtë moment. Jam kundër asaj që këto dy parti të mos merren vesh.
LV-së si parti e parë i takon posti i kryeministrit dhe në këtë drejtim është mirë që ajo të reflektojë, sepse ngjarjet historike nuk përsëriten në kushte të njëjta, në rrethana të njëjta dhe në mundësi të njëjta, sado që mund të ketë perceptime opinoniste nga jashtë. Mendoj se për të shfrytëzuar këtë shans që ia ka dhënë qytetari i Kosovës, duhet të reflektojë, të bëjë kompromis me LDK-në, të pajtohemi për çështjen e presidentit dhe ta zgjedhim qeverinë. Në të kundërtën, do të ishte gabimi më i madh, në radhë të parë i LV-së dhe pastaj aq sa i takon edhe LDK-së. Këto dy subjekte politike e kanë krijuar frymën që Kosovës i duhet një ndryshim. U kanë premtuar një shpresë të re qytetarëve dhe u kanë premtuar qytetarëve një qeveri model për të ardhmen e vendit. Pra, nuk duhet të lejohet që këto parti të mos pajtohen. Nëse kjo ndodhë do të ishte gabimi më i madh zgjedhor dhe demokratik që i ka ndodhur këtij vendi pas zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Në rast se këto parti nuk do të pajtohen, jeni për zgjedhje të reja, apo duhet të shikohen alternativa të tjera për formimin e qeverisë së re?
Rexhepi: Po e përsëris edhe një herë, unë jam kundër që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Vendit tonë i duhet një qeveri e cila duhet të merret brenda mundësve me të gjitha çështjet dhe problemet që ballafaqohet Kosova. Në këtë situatë askush nuk e ka komoditetin ta çojë vendin në zgjedhje. Prandaj po them, lideri i LV-së me ekipin e vet dhe lideri i LDK-së me ekipin e vet duhet të ulen dhe ta krijojnë mirëbesimin për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje. Në të kundërtën, do të ishte gabimi më i madh i tyre sipas përgjegjësisë së tyre politike që kanë pasur para elektoratit.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Agim…