Te Ferrari dy garat e radhës i konsiderojnë vendimtare për fatin e gjysmë sezonit të dytë

26 qershor 2025 | 13:12

Te Ferrari mezi presin dy garat e ardhshme të Formula 1, sepse në pistat e Spielberg dhe Silverstone ndoshta do të përcaktohen konturet e performancës që SF-25 do të shfaqë në pjesën e dytë të sezonit. Në Austri, “kokëkuqja” do të ketë një shasi të re, që sipas inxhinierëve në Maranello, do të zgjidhë disa nga problemet e deritanishme.

Megjithatë, Frederic Vasseur nuk e ka konfirmuar mbërritjen e risive. Ai ka nënvijëzuar se sa e rëndësishme është të jesh në gjendje të “vendosësh gjithçka së bashku” në një pistë të shkurtër si Red Bull Ring. “Pista e Spielbergut përfundon në pak më shumë se një minutë”, ka deklaruar shefi i Ferrari.

“Kjo do të thotë se boshllëqet janë shumë të vogla dhe se edhe disa të mijëtat mund të bëjnë një ndryshim të madh. Arritja për të bashkuar të gjithë elementët do të jetë thelbësore”, ka shpjeguar Vasseur. “Fakti që shtatë nga dhjetë kthesat janë djathtas, kombinuar me ndryshimet e rëndësishme në pjerrësi, e bën sfidën edhe më të vështirë. Ne kemi punuar intensivisht në Maranello me qëllim

kombinimin e të gjithë faktorëve të nevojshëm për të pasur performancën më të mirë”, ka shtuar francezi. “Charles, Lewis dhe i gjithë ekipi janë të vendosur të bëjnë më të mirën në një pistë që shpesh prodhon një nga garat më spektakolare të sezonit”, ka përfunduar shefi i Ferrarit, Frederic Vasseur.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LV-së, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati,…