
Të gjata 25 metra dhe peshojnë 2.3 tonë, Irani sulmon Izraelin me raketat Sejil
Garda Revolucionare ka njoftuar të mërkurën përdorimin e raketës balistike super të rëndë Sejil, si pjesë e asaj që e përshkruan si “vala e 12-të e sulmeve” ndaj Izraelit. Ky është rasti i parë që një nga armët më të sofistikuara të arsenalit iranian përdoret në një konfrontim të drejtpërdrejtë.
Përkundër faktit që raketa është shfaqur rregullisht në paradat ushtarake të Teheranit që prej vendosjes në shërbim në vitin 2012, përdorimi i saj aktiv sinjalizon një ndryshim të qartë në strategjinë ushtarake të Iranit dhe qasjen e tij ndaj parandalimit të sulmeve.
Raketa Sejil është një armë balistike tokë-tokë me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra, e prodhuar tërësisht brenda Iranit nga Organizata e Industrive Hapësinore, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo funksionon me lëndë djegëse të ngurtë, çka e bën më të shpejtë për lëshim në krahasim me raketat me lëndë djegëse të lëngshme.
Raketa ka gjatësi 25 metra, diametër 1.25 metra dhe peshon rreth 2.3 ton. Ajo mund të transportojë koka luftarake deri në 700 kilogramë dhe besohet se ka aftësi për mbajtjen e ngarkesave bërthamore. Për më tepër, Sejil është projektuar për të qenë e manovrueshme në të gjitha fazat e fluturimit, duke vështirësuar kapjen nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Raportimet sugjerojnë se raketa është e aftë të arrijë Tel Avivin nga Irani qendror brenda shtatë minutash. Versioni i përmirësuar, Sejil-2, i prezantuar në vitin 2009, përfshin modifikime në dizajnin e kokës luftarake dhe “krahë udhëzues” për saktësi më të lartë.
Zyrtarë izraelitë njoftuan të enjten se raketa Sejil është kapur me sukses nga sistemet mbrojtëse, ndërsa mbeturinat e saj shkaktuan dëme të kufizuara në një automjet.
Ndërkohë, spekulimet për ekzistencën e një versioni më të avancuar, Sejil-3, nënkuptojnë rritje të konsiderueshme të rrezes së veprimit deri në 4,000 kilometra, çka teorikisht do ta bënte të aftë të godiste objektiva deri në Bruksel nga territori iranian.