
Të mërkurën do të tentohet përsëri të konstituohet Kuvendi
Për të 18-tën herë në Kuvendin e Kosovës ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Avni Dehari, kryesues i seancës konstitutive ka ndërprerë sërish seancën e Kuvendit.
Ishin 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
“Ndërpritet seanca, shihemi me 21 maj në orën 10:30”, ka thënë Dehari.
Ndryshe, të enjten presidentja, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me liderët e partive, ku takimi ka përfunduar pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi politik.
Subjektet politike, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa LV-ja ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.