Të mërkurën varroset veprimtari dhe atdhetari i shquar Imer Grainca
Të mërkurën, më 11 shkurt 2026, do t’i jepet lamtumira e fundit veprimtarit dhe atdhetarit të shquar Imer Grainca, i cili ka ndërruar jetë në Gjermani në moshën 65-vjeçare.
Sipas njoftimit të bërë nga vëllai i tij, Mustafë Grainca, ceremonia mortore do të zhvillohet sipas këtij programi:
Ora 11:00 – Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” do të mbahet mbledhja komemorative.
Ora 15:00 – Në varrezat e fshatit Cërnillë do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
Ndërkaq, ceremonia e ngushëllimit do të mbahet më 12, 13 dhe 14 shkurt 2026, në sallën/restorantin “Mjellma”, në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 16:00.
Jeta dhe veprimtaria e Imer Graincës:
Imer Grainca u lind më 10 mars 1961, në fshatin Cërnillë, Komuna e Ferizajt, në një familje të varfër, por thellësisht atdhetare, nga babai Zejnullahu dhe nëna Elife.
Që në moshë shumë të re, në vitet 1977–1978, si nxënës i shkollës së mesme, ai filloi angazhimin e tij patriotik për çlirimin e atdheut, duke u bërë pjesë e Lëvizjes për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës, ku shumë shpejt u shqua si organizator dhe udhëheqës, ndonëse vetëm 18-vjeçar.
Në nëntor të vitit 1979, grupi i tij arrestohet, ndërsa më 11 qershor 1980, Imer Grainca dënohet me 6 vite burg si udhëheqës i grupit. Ai vuajti dënimin në burgun famëkeq të Zajeçarit, ku mbi 273 ditë u mbajt në izolim të plotë, në kushte çnjerëzore. Në total, ai vuajti 4 vite burg, duke u liruar në vitin 1983.
Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Gjilanit, Imer Grainca ishte bashkëvuajtës me shumë veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, ndër ta Heroin e Kosovës, Fehmi Lladrovci, si dhe veprimtarët Bilall Kryeziu, Xhabir Morina, Elmi Reçica, Rrahim Rama, Muzafer Lika, e të tjerë.
Pas lirimit, pa u ndalur asnjëherë nga veprimtaria patriotike, ai arrestohet sërish në shkurt të vitit 1985 dhe dënohet me 2 vjet e gjysmë burg, të cilin e vuajti në burgjet e Gjilanit dhe Pejës. Në burgun e Gjilanit, bashkëvuajtës i tij ishte edhe Heroi i Kosovës, Fehmi Lladrovci, si dhe shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare.
Pas përfundimit të dënimit të dytë, Imer Grainca u detyrua të kryente shërbimin ushtarak jugosllav, ku përjetoi trysni dhe kërcënime të vazhdueshme, por i qëndroi stoik çdo sfide.
Me përkeqësimin e situatës në Kosovë pas vitit 1989, nën regjimin represiv të Millosheviqit, ai u detyrua të marrë rrugën e mërgimit, duke u vendosur në Gjermani, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Atje vazhdoi pa ndërprerë angazhimin politik, duke udhëhequr Partinë e Unitetit Kombëtar për Gjermani, dhe më vonë duke u rreshtuar edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Imer Grainca u kthye në vendlindje për të kontribuar në rindërtimin e jetës dhe të institucioneve, duke shërbyer deri në vitin 2007 në institucionet e sigurisë, gjithmonë me përgjegjësi, përkushtim dhe integritet.
Me ndarjen nga jeta të Imer Graincës, Kosova humbi një veprimtar të palodhur, një atdhetar të devotshëm dhe një njeri të sakrificës.



