Të ndërpritet me urgjencë vakumi institucional

30 tetor 2025 | 13:44

Shkruan: Muhamet Mustafa

Që nga shkurti i sivjetmë, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës, u ballafaquam me një sagë që po lë shije të rëndë përgjatë procesit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re. Pasojat e saj u përcollën me një legjitimitet të kontestuar dhe të lënduar të qeverisë në detyrë si dhe me pasoja negative për pozitën ndërkombëtare të vendit. Ndër më të rëndat në aspektin ekonomik është vonesa madhe e përdorimit të fondeve nga BE, në kuadër të Programit të Rritjes Ekonomike.
Për një vend si Kosova, me nevoja të mëdha për investime në zhvillim ekonomik, arsim, kërkime dhe inovacion dhe shëndetësi, ky fakt nuk do duhej ta lë indiferent askënd në nivel institucional dhe përgjithësisht në gjithë hallkat e shoqërisë.
Kur më në fund Kuvendi u konstituua, dhe i dekretuari nga Presidentja propozoi qeverinë e re dhe ajo nuk mori besimin, u duk se të gjithë në pozitë dhe opozitë u pajtuan që sa më shpejt të shkohet në zgjedhje te reja. Ndaj ishte për t’u pritur se kjo të materializohej shumë shpejt. Po kalon një javë dhe nuk shohim asnjë përpjekje që kjo çështje të marrë rrugën dhe që zgjedhjet të mbaheshin në fillim të dhjetorit dhe që mundësisht Viti i Ri të na gjejë me Kuvend e Qeveri të re. Udhëtimet jashtë vendit, të cilat në kushtet normale sigurisht do të kishin rëndësinë e vet, në rastin tonë nuk do të duhej të ishin një prioritet. Përkundrazi!
Nëse deri në fillim të javës që vjen nuk shpallet data e zgjedhjeve të reja, atëherë partitë politike duhet të ngritën mbi nivelin e luftës primitive antagonistike për pushtet me çdo kusht dhe të aprovojnë një qeveri tranzicionale e përbërë proporcionalisht nga të gjitha partitë kuvendare, e cila do të kryesohej nga një personalitet konsensual (jo nga ndonjëri prej liderëve partiakë)! Mandati i kësaj qeverie do të ishte deri në mars të vitit 2026 kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja! Nëse ndonjëra nga partitë kuvendare refuzon të marrë pjesë në këtë qeveri, le ta formojnë ato që pajtohen me këtë nën peshën e përgjegjësisë për evitimin e vakumit të stërzgjatur institucional.
Rrezikimi që vendi të mbetet pa buxhet, ose me buxhet të kontestuar në aspektin ligjor, si dhe vonesa e vjeljes së fondeve nga Programi i BE-së për Rritje Ekonomike nuk do të duhej të tolerohej më tuje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Antaura” SH.P.K. shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me nr.…