Të ngrihet akciza e naftës për tre muaj dhe të reduktohet TVSH-ja për produktet bazike

30 qershor 2022 | 15:02

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se situata ekonomike në Kosovës çdo ditë e më shumë është duke u rënduar.

Sipas tij, është duke vazhduar dominimi i agjendës politike qoftë sa i përket dialogut, lobimit, por edhe pjesëmarrjes në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të përfaqësuesve institucional.

“Është koha kur kjo situatë duhet të trajtohet me seriozitet më të madh nga ana institucionale dhe të mos shndërrohet durimi qytetar në eksperiment. Besoj se është koha që me urgjencë të merret një vendim që të ngrihet apo pezullohet akciza në derivate të naftës për një periudhë të caktuar tremujore dhe të rishikohet ulja e TVSH-së për produktet bazike. Në Kosovë po shohim se po rritet varfëria, po rritet pakënaqësia. Kosova po zbrazet edhe më tepër, dhe ky është një dëm shumë i madh për Kosovën dhe ardhmërinë saj. Besoj se është koha kur institucionet e Kosovës të marrin vendim dhe të shikojnë drejt ardhmërisë. Sot ka shumë ankesa për mosmbështetje për rritje të prodhimit, por në anën tjetër askush nuk gjen modalitet se si të mbështesim bujqësinë dhe prodhimin”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka theksuar se nafta është e njëjtë si për amvisëri, biznese dhe sektor të tjerë.

“Besoj se është momenti dhe koha që të mos dëgjohen ‘matrapazët e ndryshëm ekonomikë’ duke kundërshtuar idetë për ngrirjen e akcizës për një kohë të caktuar. Duhet të kuptohet se me akcizë rritet buxheti i Kosovës, por në raste të caktuara duhet të merren vendime që do të ndihmojnë direkt qytetarët e Kosovës për të përfituar nga një vendim i tillë për shkak se nafta sjellë efekte zinxhirore te rritja e çmimeve dhe nevojave për qytetarë. Nga akciza rriten të hyrat buxhetore dhe fitojnë tregtarët”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se sot inflacioni është mbi 13 për qind dhe paraqet rrezikun më të madh social dhe ekonomik.

“Projektet dhe investimet kapitale janë reduktuar në mënyrë ekstreme, e cila e godet sektorin privat.
Ju lutemi veproni në këtë drejtim duke pezulluar akcizën për një kohë të caktuar dhe reduktuar TVSH-në në produkte esenciale në interes të qytetarëve dhe ardhmërisë ekonomike të Republikës së Kosovës.
E di se nesër do të veproni por kam frikë se do të jetë vonë!”, ka theksuar Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Detaje të reja mësohen nga vjedhja e bizhuterive në vilën…