Të pafuqishëm përballë ndryshimeve kushtetuese

27 dhjetor 2017 | 17:44

Ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës, të cilat konsiderohen të nevojshme për rrumbullakimin e proceseve të caktuara në vend, ndonëse në parim janë të mundura, ato ende mbesin praktikisht të pamundura për momentin, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ose ndryshimet i sistemit zgjedhor në vend, por edhe të tjera, mbeten peng të pamundësisë së deritashme për ndryshime kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, njëherësh profesor i të Drejtës Kushtetuese,  Enver Hasani, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se çdo ditë e më shumë po kuptohet ajo që është dashur të kuptohet që në fillim të pranimit të Planit Ahtisari, në mars të vitit 2007, si dhe miratimit të Kushtetutës së vendit në prillin e vitit që pasoi.

“Kosova nuk është demokraci e shumicës, por demokraci kushtetuese parlamentare, ku pushteti buron nga populli, mirëpo ushtrimi i tij bëhet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, mekanizmave kushtetues dhe ligjorë. Përveç kësaj, pushteti është i ndarë. Këto pushtete të ndara i nënshtrohen jo vullnetit të shumicës, por Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Pjesë e kësaj demokracie kushtetuese është edhe ajo pjesë e Kushtetutës dhe e Planit të Ahtisaarit, i cili është detyrim ndërkombëtar i Kosovës – të cilat cilësohen si pjesë të pandryshueshme të Kushtetutës”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se jo vetëm Kosova, por edhe vende të tjera me demokraci të konsoliduar, si Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e madhe e vendeve të demokracisë perëndimore, kanë dispozita kushtetuese sikurse që i ka Kosova dhe të cilat nuk mund të ndryshohen asnjëherë pa konsensus të gjerë nacional.

Për ndryshimet kushtetuese, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 deputetë, si dhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.

Njohësi i zhvillimeve parlamentare, Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se as në Kosovë e as në ndonjë vend tjetër, nuk është se gjithmonë të gjitha partitë kanë mendim të njëjtë për çështjet që kërkojnë ndryshime kushtetuese.

Por, megjithatë, ai e sheh problemin te sigurimi i votave të komuniteteve pakicë, përkatësisht, të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, të cilët aktualisht i përfaqëson Lista Serbe. Sipas tij, kjo e fundit po mban peng ndryshimet kushtetuese për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Vota e tyre nuk ka ardhur kundër ose për të bllokuar ndryshimet kushtetuese për shkak të çështjeve të tyre parimore. Por, më shumë ka qenë ndjekja e agjendave të Beogradit në Kosovë dhe këtu është problemi. Nëse kjo, ashtu siç është e shkruar në letër, nuk do të përdorej vetëm për interesat e komunitetit serb që jeton në Kosovë, atëherë nuk do të kishte asnjë problem edhe pse është kjo dy të tretat, që është e dyfishtë, do të thotë, për komunitetet që mbajnë vendet e garantuara në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshimet kushtetuese teorikisht janë të mundura, por në praktikë, tash për tash, mbeten të parealizuara. Sistemi zgjedhor, si kategori kushtetuese në Kosovë, gjithashtu mbetet peng i këtyre ndryshimeve, sikurse formimi i Ushtrisë së Kosovës.

Profesor Hasani, ka shprehur mendimin se megjithatë, sistemi zgjedhor i Kosovës, si kategori kushtetuese, deri më tash ka luajtur rol mjaft pozitiv.

“Sistemi zgjedhor është dispozitë e Planit të Ahtisaarit, që Kushtetuta e jonë vetëm e ka bartur në tekstin e vet. Ky sistem zgjedhor, mendoj unë, ka luajtur rol shumë të madh dhe pozitiv në zhvillimin e demokracisë parlamentare në Kosovë, sado që kjo mund të duket paradoksale. Po të kishte qenë sistemi i përzier apo i shumicës, në Kosovë kaherë do të kishte pasur degjenerim të demokracisë dhe shkatërrim të diversitetit nacional, gjuhësor, fetar dhe kulturor etj. Unë e shoh këtë sistem zgjedhor si një aset të madh të Kosovës, sepse asnjëherë, asnjë force politike apo individi nuk i lejon komoditet dhe kjo ka shumë rëndësi të madhe për zhvillimin e demokracisë së re në Kosovë”, ka thënë vlerësuar Hasani.

Profesor Hasani ka shtuar se sistemi zgjedhor në Kosovë ka përbrenda vetes një mesazh, të cilin, siç ka thënë ai, politika në Kosovë nuk e ka kuptuar akoma: se për çështjet e interesit nacional duhet në fillim të krijohet me çdo kusht një konsensus i gjerë nacional dhe me atë konsensus të shtyhen përpara proceset që kanë rëndësi dhe peshë kushtetuese, e assesi anasjelltas. Sipas tij, Kushtetuta nuk mund të fajësohet e as të jetë zëvendësues për zgjidhjen e problemeve politike të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka bërë me…