
Të premten dorëzohet padi në prokurori kundër kryeparlamentarit Dimal Basha
Ish-ushtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Gent Gjini, ka njoftuar se të premten në Prokurorinë Speciale do të dorëzohet kallëzimi penal dhe padia ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Padia lidhet me pretendimet e Bashës për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga kartelët e drogës dhe për bashkëpunimin e tij me një autore për publikimin e këtyre pretendimeve në një revistë shkencore të një universiteti në ShBA.
Avokati Gent Gjini ka bërë me dije se të premten në ora 13:20 do të dorëzohet kallëzimi penal dhe padia.
“Ditën e premte në Prokurorinë Speciale në ora 13:20 do të dorëzojmë kallëzimin penal dhe padinë ndaj Dimal Bashës për propagandën në përhapjen e fakteve jo të vërteta ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është financuar nga kartelët e drogës, e ku Dimal Basha këto pretendime i ka theksuar në një revistë shkencore në një universitet në ShBA, e po ashtu faktit se Dimal Basha ka bashkëpunuar me një autore dhe kanë përhapur fakte kundër UÇK-së, duke dhënë informata kësaj autore në publikimin e kësaj reviste kundër popullatës shqiptare. Andaj unë si avokat dhe një përfaqësues i UÇK-së të premten do të procedojmë kallëzimin penal, ku do të kërkojmë që gjatë hetimit të kësaj çështje të merret në tërësi revista e publikuar dhe do të kërkojmë nga Prokuroria Speciale që Dimal Bashës t’i ndalohet ushtrimi i pozitës së kryeparlamentarit, përderisa çështja të trajtohet dhe të hetohet nga Prokuroria Speciale. Universiteti amerikan do të na sigurojë revistën shkencore dhe do të shprehet vepra penale që ka kryer Dimal Basha”, ka thënë Gjini për “EO”.