Të premten protestohet para KEDS e qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

04 shkurt 2026 | 08:05

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët. Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.

“Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.

Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.

Sipas deklaratës, KEDS-i vazhdon të përfitojë nga energjia e prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e blerë atë me çmime të ulëta dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumëfish më të larta. Organizatorët e protestës theksojnë se kjo situatë po thellon varfërinë dhe po dëmton rëndë interesin publik.

Në kuadër të protestës, organizatat paraqesin dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm dhe pa ekuivok të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga sindikatat.

“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Vetëm së bashku mund ta ndalim këtë hajninë shumëvjeçare dhe ta rikthejmë energjinë elektrike në shërbim të popullit”, thuhet ne komunikatë.

Njoftimi i plotë:

Të ndëruara media,

Ju njoftojmë se këtë të premte, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta nisë nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon te Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ju ftojmë ta përcjellni.

Më poshtë mund ta gjeni deklaratën tonë, së bashku me vegëzën e protestës:

Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.

Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit.

KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që:

  • Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve.
  • Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut.
  • (kërkesa të sindikatës)

Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i të vdekurve nga stuhia më e madhe e…