
Të rinjtë dhe droga: Parandalimi dhe edukimi si çelës për një të ardhme më të mirë
Nga Besnik Xhaka & Arben Dashevci
Fenomeni i përdorimit të drogës te të rinjtë
Përdorimi i drogës nga të rinjtë në vendin tonë përbën një problem serioz, i cili duhet të zërë vend të veçantë në agjendat shëndetësore, arsimore dhe politike. Ky fenomen ka pasoja të shumta, veçanërisht në aspektin e shëndetit fizik dhe mendor të të rinjve, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre psikofizike.
Analiza e këtij problemi kërkon një qasje të thelluar, që merr parasysh faktorët psikologjikë, socialë dhe mjedisorë që formësojnë sjelljen e të rinjve. Në vitet e fundit, është vërejtur një rritje alarmante e përdorimit të substancave narkotike në mesin e tyre, çka ka sjellë pasoja tragjike, përfshirë raste të shumta të mbidozave fatale.
Këto episode tronditëse nxjerrin në pah jo vetëm rreziqet e menjëhershme që vijnë nga droga, por edhe ndikimet afatgjata dhe të thella që ky fenomen lë pas. Për më tepër, qasja e lehtë në drogë, sidomos në atë sintetike që shpeshherë është shumë më e rrezikshme dhe e paparashikueshme, e bën situatën edhe më shqetësuese.
Përballë kësaj sfide, është e domosdoshme një ndërhyrje urgjente përmes edukimit. Kjo nuk duhet të jetë thjesht një përpjekje për të ofruar informacione bazike mbi rreziqet e drogave, por një proces edukativ gjithëpërfshirës që nxit formimin e ndërgjegjes kritike tek të rinjtë dhe forcon aftësinë e tyre për të marrë vendime të shëndetshme.
Qasja ndaj këtij problemi duhet të jetë heuristike, pra zbulimore dhe e mbështetur në kontekstin individual, familjar dhe shoqëror të çdo të riu. Edukimi, në këtë kuadër, duhet të përqendrohet në fuqizimin e të rinjve si individë, duke u ofruar mjete për t’u përballur me presionin e grupit, pasigurinë dhe sfidat e përditshme.
Për të qenë të suksesshëm në parandalimin e përdorimit të drogës, është jetike ndërtimi i një rrjeti mbështetës që përfshin shkollat, familjen, institucionet publike dhe komunitetin në tërësi. Vetëm nëpërmjet një qasjeje të integruar dhe shumëdimensionale, mund të adresohet në mënyrë efektive ky fenomen, duke i orientuar të rinjtë drejt vetërespektit, mirëqenies dhe një të ardhmeje më të sigurt.
Pse të rinjtë përdorin drogë?
Arsyet e përdorimit të drogës kanë qenë objekt i shumë studimeve dhe teorive në fushat e sociologjisë dhe psikologjisë, të cilat përpiqen të sqarojnë motivimet që qëndrojnë pas kësaj sjelljeje.
Shoqëria bashkëkohore, ndonëse duket më e hapur dhe më tolerante, shpeshherë shfaq një intolerancë të fshehtë dhe një ndjenjë të thellë pasigurie. Ajo, nga njëra anë, dështon të ofrojë mbështetjen e duhur për individët që përballen me vështirësi, dhe nga ana tjetër, nxit konsumizmin përmes promovimit të mallrave dhe shërbimeve, por e dënon në mënyrë të rreptë dhe normative konsumin e substancave të ndaluara.
Problemet që lidhen me përdorimin e drogave të paligjshme dhe pasojat e teprimit në përdorim, shpesh reflektojnë dobësinë e autoritetit prindëror, i cili më parë shërbente si model disipline dhe respekti për normat shoqërore. Kjo krijon një konflikt të brendshëm te të rinjtë mes dëshirës për liri dhe nevojës për t’iu përmbajtur rregullave morale dhe shoqërore.
Në shumë raste, përdorimi i drogës nuk është një akt impulsiv apo thjesht pasiv, por një zgjedhje e vetëdijshme. Individi, në dimensionin e tij si homo oeconomicus, bën një vlerësim racional të kostove dhe përfitimeve që sjell kjo sjellje, dhe vendos të konsumojë vetëm nëse kjo i duket e përshtatshme për nevojat dhe pritjet e tij.
Megjithatë, ky vlerësim nuk ndodh në izolim. Ai ndikohet nga faktorë të jashtëm, si konteksti shoqëror, kultura e përkatësisë dhe historia personale. Çdo akt konsumimi është në thelb një sjellje shoqërore, ku kuptimet ndryshojnë në varësi të fazës së jetës, përvojave të mëparshme dhe dinamikës së grupit ku individi bën pjesë.
Përdorimi i drogës, pra, nuk mund të reduktohet në një përgjigje të thjeshtë ndaj modeleve të sjelljes të mësuara, siç sugjeron teoria e të mësuarit social. Përkundrazi, individi luan një rol aktiv në ndërtimin e marrëdhënies së tij me substancat psikoaktive, duke ndërmarrë vendime që reflektojnë si nevojat e brendshme, ashtu edhe stimujt e jashtëm.
Edhe pse teoritë që bazohen në sjelljen e përforcuar dhe imitimin vazhdojnë të kenë ndikim në analizën e këtij fenomeni, si dhe në strategjitë e parandalimit dhe rehabilitimit, është thelbësore që kërkimi shkencor të orientohet drejt një qasjeje gjatësore. Një qasje e tillë duhet të jetë në gjendje të ndjekë trajektoret psikosociale të përdoruesve me kalimin e kohës dhe të identifikojë ato rrugë që nuk evoluojnë në varësi.
Duke pasur parasysh këtë kompleksitet, është e qartë se parandalimi i përdorimit të drogës nuk mund të kufizohet vetëm në ndërhyrje informuese. Ai duhet të jetë pjesë e një strategjie kombëtare edukative, të rrënjosur në strukturat shoqërore dhe kulturore të çdo komuniteti.
Arsimi luan një rol thelbësor në luftimin e fenomenit të drogës në vendin tonë. Ai nuk ka vetëm funksionin e dhënies së informacionit mbi rreziqet e konsumit, por duhet të promovojë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë individuale.
Ky edukim nuk duhet të fokusohet vetëm në individin, por të shtrihet edhe në kontekstin familjar, shoqëror dhe kulturor. Vetëm një qasje e tillë mund të ndikojë në parandalimin e sjelljeve të rrezikshme që lidhen me përdorimin e drogës.
Për më tepër, është e nevojshme që edukimi të marrë parasysh dallimet gjinore, pasi motivet dhe mekanizmat psikologjikë që çojnë drejt konsumimit të drogës shpesh ndryshojnë ndërmjet meshkujve dhe femrave.
Vetëm një sistem arsimor cilësor, gjithëpërfshirës dhe i integruar, i cili adreson shkaqet rrënjësore të konsumit të drogës dhe promovon një kulturë mirëqenieje, mund të japë një përgjigje të qëndrueshme ndaj kësaj sfide. Një arsim i tillë kontribuon në uljen e dëmit nga abuzimi me substanca narkotike dhe në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme, të vetëdijshme dhe më rezistente ndaj ndikimeve negative.
Perspektiva të reja dhe ndërhyrje parandaluese nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe policia
Studimet e fundit sugjerojnë se përdorimi i drogës shpesh interpretohet si një zgjedhje racionale, e motivuar nga kërkimi i përfitimeve të caktuara, siç janë çlirimi nga frenimet, integrimi shoqëror, shmangia e problemeve apo dëshira për t’u ndier pjesë e një grupi. Në fazat fillestare, substancat narkotike nuk perceptohen si burim varësie, por si mjete për të arritur qëllime specifike. Në këto raste, droga mund të paraqitet si një përgjigje e përkohshme ndaj vështirësive psikologjike dhe sociale.
Për këtë arsye, ndërhyrja parandaluese është thelbësore. Siç thotë edhe proverbi: “Parandalimi është më i mirë se kurimi”. Masat parandaluese jo vetëm që janë më efektive në planin afatgjatë, por edhe më të leverdishme nga aspekti ekonomik dhe social.
Përdorimi dhe abuzimi me alkoolin dhe substancat narkotike, sidomos gjatë moshës shkollore, mund të shkaktojnë dëme të mëdha, duke cenuar cilësinë e të nxënit, zhvillimin personal dhe aftësinë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Prandaj, është jetike që nxënësve t’u ofrohen mjete për të kuptuar dhe parandaluar rreziqet e varësisë, ndërsa shkolla duhet të shërbejë si pikë referimi, duke krijuar hapësira për informim, reflektim dhe vendimmarrje të ndërgjegjshme.
Ndërhyrja edukative duhet të synojë kuptimin e konteksteve shoqërore në të cilat lindin këto sjellje, mënyrave të aksesit në substanca dhe ndikimeve që ato sjellin. Në këtë proces, është e rëndësishme të promovohet dëgjimi aktiv dhe dialogu i vazhdueshëm me nxënësit, duke forcuar lidhjen me familjen.
Parandalimi i varësisë duhet të jetë pjesë e një pakti edukativ gjithëpërfshirës, që angazhon të gjithë komunitetin për të promovuar rritje të shëndetshme dhe të balancuar për të rinjtë. Në këtë kontekst, pedagogjia luan një rol vendimtar, jo vetëm në ndërgjegjësimin për rreziqet, por edhe në ofrimin e aftësive përballuese për sfidat e përditshme.
Arsimi duhet të shkojë përtej transmetimit të njohurive. Ai duhet të përfshijë edukimin emocional dhe zhvillimin e aftësive sociale, që i ndihmojnë të rinjtë të përballen me stresin, ankthin dhe presionin shoqëror pa rënë pre e sjelljeve destruktive. Trajtimi i temave të ndjeshme brenda klasës është thelbësor për të parandaluar fenomene si radikalizimi, diskriminimi apo stigmatizimi i atyre që perceptohen si të ndryshëm.
Edukatorët janë figurat qendrore të këtij procesi. Ata duhet të krijojnë një mjedis shkollor të sigurt, mikpritës dhe pa paragjykime, ku nxënësit ndihen të lirë të shprehen dhe të ndajnë shqetësimet e tyre. Komunikimi i hapur dhe i bazuar në besim është çelësi për identifikimin dhe adresimin e hershëm të problemeve që lidhen me varësinë.
Po ashtu, edukatorët duhet të jenë në gjendje të vërejnë shenjat paralajmëruese të rrezikut për varësi si ndryshimet në sjellje, humor apo rezultatet shkollor dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për diagnostikim dhe referim te profesionistët e duhur, si psikologët apo punonjësit socialë.
Një element i rëndësishëm pedagogjik është edhe zhvillimi i aftësive të qëndrueshmërisë. Përmes metodave të përshtatshme mësimore dhe aktiviteteve trajnuese, nxënësit mund të mësojnë teknika për menaxhimin e stresit dhe emocioneve, si dhe për marrjen e vendimeve të informuara. Këto aftësi janë të domosdoshme për mirëqenien psikologjike dhe sociale, duke ulur ndjeshëm rrezikun e përdorimit të substancave si mënyrë për t’u përballur me vështirësitë.
Ndërtimi i rrjeteve mbështetëse me profesionistë të fushave përkatëse, si psikologë, punonjës socialë, dhe përfshirja aktive e familjes, përbëjnë një qasje të integruar për trajtimin e çështjeve të varësisë. Bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit mundëson krijimin e një sistemi të qëndrueshëm ndihmës që parandalon përshkallëzimin e problemeve.
Qasja parandaluese edukative, e bazuar në parimet e pedagogjisë së integruar, është një nga mënyrat më efektive për të luftuar varësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të qëndrueshme. Përmes informimit, forcimit të qëndrueshmërisë, krijimit të mjediseve të sigurta dhe përfshirjes së familjes dhe komunitetit, edukatorët formojnë breza të rinj të vetëdijshëm, të përgjegjshëm dhe të aftë për të ndërtuar një të ardhme pa varësi.
Në një epokë si kjo e sotmja, ku përdorimi i drogës, sidomos tek të rinjtë, është mjaft i përhapur, roli i pedagogjisë është kthyer në një thirrje urgjente për rikonceptimin e sistemit arsimor duke e ndërtuar mbi themelet e promovimit, drejtësisë dhe pjesëmarrjes.
Sjelljet devijante, në këtë kuadër, duhet të shihen si shprehje të një përgjegjësie kolektive shoqërore, që shkon përtej individit dhe përfshin gjithë komunitetin. Edukimi i një komuniteti aktiv, gjithëpërfshirës dhe dialogues është një mënyrë për të luftuar tendencat e izolimit dhe margjinalizimit. Qëllimi është fuqizimi i të rinjve për t’u bërë agjentë të ndryshimit dhe jo thjesht përshtatës ndaj një realiteti të gatshëm.
Ky proces arrihet përmes një edukimi demokratik e kritik, që nuk heziton të përballet me sfidat e kohës, duke denoncuar format e ndryshme të dehumanizimit që shoqërojnë përdorimin e substancave.
Drogat, në vetvete, përfaqësojnë mjete që mohojnë dinjitetin njerëzor, duke nxitur padrejtësinë, shfrytëzimin dhe shtypjen. Edukatorët kanë për detyrë të ndërgjegjësojnë të rinjtë për rreziqet e këtyre praktikave, duke i ndihmuar të kuptojnë se përdorimi i substancave shpesh përkthehet në dhunë të heshtur kundër vetes, e ushtruar nga struktura që përfitojnë nga vuajtja e tyre.
Në këtë mënyrë, shkolla nuk duhet të mbetet thjesht një institucion që përcjell njohuri, por të shndërrohet në një hapësirë ku formohen individë të vetëdijshëm, të përgjegjshëm dhe të angazhuar për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe humane.
Qëllimi edukativ nuk kufizohet vetëm në formimin e mendjeve kritike, por synon të ndërtojë individë të vetëdijshëm, të aftë për dialog ndërkulturor dhe për ndërtimin e lidhjeve të solidaritetit. Këta individë duhet të respektojnë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të shëndoshë.
Në këtë kuptim, shkolla shndërrohet në një hapësirë ku kultivohen virtytet qytetare, morale dhe emocionale, një vend ku krahasimi i ideve dhe hapja ndaj diversitetit jo vetëm që inkurajohen, por konsiderohen si gurë themeltarë të qytetarisë së mirëfilltë. Kështu, arsimi nuk kufizohet në një përgjigje ndaj sfidave shoqërore, por shndërrohet në një burim jetësor që ushqen zhvillimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të hapur, të aftë për të kapërcyer pabarazitë që e kërcënojnë.
Shkolla duhet të bëhet një qendër e angazhimit shoqëror një komunitet ku secili është i ftuar të marrë pjesë aktive në krijimin e një realiteti të lirë nga varësia ndaj drogave. Ajo duhet të jetë një hapësirë ku të gjithë ndihen të lirë dhe të bashkuar, ku ndahen përvoja, ku reagojmë ndaj mbylljes dhe ndikimeve negative të shoqërisë, dhe ku nxitet besimi në aftësinë për të kapërcyer vështirësitë që lidhen me varësinë, për të rizbuluar kuptime të reja dhe për të afirmuar vlerat personale.
Si komunitet, shkolla duhet të jetë në shërbim të çlirimit: një vend ku ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë, larg skllavërisë së varësive.
Analiza pedagogjike e përdorimit të drogave nga të rinjtë në vendin tonë e vë në pah rëndësinë e ndërhyrjeve dhe masave parandaluese të synuara, të cilat marrin parasysh faktorët psikologjikë, socialë dhe arsimorë. Këto masa duhet të synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e ekuilibruar dhe të shëndetshëm të të rinjve, si bazë e fortë për parandalimin e përdorimit të drogës.