
Të rivendoset partneriteti me ShBA-në, siguria e mbrojtja janë çështje urgjente për t’u bashkërenduar
Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ku janë ngritur akuza për ndërhyrjet e Serbisë në procesin e formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, ka reaguar eksperti i sigurisë, Burim Ramadani.
Ramadani, ka thënë se nuk duhet minimizuar rrezikimi i sigurisë kombëtare nga Serbia, por ka vënë në pah domosdoshmërinë e rivendosjes së partneritetit me ShBA-në dhe ndërtimin e një platforme të përbashkët me shumicën shqiptare.
“Nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës. Askush nuk duhet ta minimizojë këtë rrezik të sigurisë kombëtare të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që shumica shqiptare – të cilën qytetarët e kanë mbështetur për ta ndrruar udhëheqjen shtetërore – të ulet së pari brenda vetes e ta ndërtojë platformën e përbashkët. Njëkohësisht, ta ri-vendos partneritetin me ShBA-në në siguri dhe mbrojtje. Siguria e mbrojtja janë çështje urgjente për t’u bashkërenduar!”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.