Të shtëna me armë në ahengje familjare në disa komuna, policia arreston të dyshuarit në pesë raste

03 gusht 2025 | 10:51

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në së paku pesë raste të veçanta janë përdorë armët e zjarrit dhe mjetet e rrezikshme në disa komuna të vendit, kryesisht në ahengje familjare.

Rreth orës 15:00, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, një person është arrestuar pasi kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 8 gëzhoja dhe një revole me gaz. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Më vonë, rreth orës 19:14 në Poklek të Ri, Gllogoc, dy persona janë arrestuar pas një tjetër rasti ku njëri prej tyre kishte shtënë me armë në ajër pas një ahengu. Policia konfiskoi një armë me gaz të llojit Zoraki 917-T dhe një karikator pa fishekë. Edhe këta të dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.

Në orën 21:45 në Drenas, një person është vetëdorëzuar në polici, duke pranuar se kishte shtënë me armë me gaz në një aheng familjar. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.

Një tjetër incident është raportuar në Cërnicë të Gjilanit në orët e vona të mbrëmjes, ku njësitë policore kanë ndërhyrë pas të shtënave të dëgjuara gjatë një ahengu. Gjatë kontrollit, tek dy persona janë konfiskuar dy pistoleta, pesë fishekë dhe 20 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Greme të Ferizajt, rreth orës 13:05, një person është arrestuar pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur 50 gëzhoja të armës së zjarrit. Policia ka sekuestruar një revole dhe një armë gjuetie. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve në raste gëzimi dhe festash, duke theksuar se këto veprime përbëjnë rrezik serioz për sigurinë publike dhe janë të dënueshme me ligj. Hetimet për rastet e lartpërmendura janë duke vazhduar./Telegrafi/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe revoltën më të…