‘Teherani i është përgjigjur propozimit me 15 pika të Trumpit, po pret përgjigje nga ShBA-ja’
Agjencia gjysmë-zyrtare iraniane e lajmeve “Tasnim” ka raportuar se Teherani i është përgjigjur propozimit me 15 pika të Donald Trumpit për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se po pret një përgjigje nga ShBA-ja.
Duke cituar një “burim të informuar”, agjencia ka thënë se Irani ka dërguar përgjigjen mbrëmë përmes ndërmjetësve. Në përgjigjen e tij, Irani ka përcaktuar kushtet e veta për përfundimin e konfliktit, të cilat u raportuan gjithashtu dje nga media të tjera iraniane. Këto kushte përfshijnë:
Fundin e “agresionit dhe terrorit”
Garanci për të parandaluar përsëritjen e luftës kundër Iranit
Kompensim për dëmet e luftës dhe reparacione
Përfundimin e luftës “në të gjitha frontet” dhe kundër “të gjitha grupeve të rezistencës” në të gjithë Lindjen e Mesme
Njohjen e sovranitetit të Iranit mbi ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se kjo është “e drejtë natyrore dhe ligjore” e Teheranit
“Tasnim” ka raportuar se këto kushte janë të ndara nga kërkesat e paraqitura palës tjetër në raundin e dytë të bisedimeve në Gjenevë, para se ShBA-ja dhe Izraeli të nisnin një sulm ndaj Iranit në shkurt.
Në komente të mëtejshme, të përkthyera nga persishtja më poshtë, agjencia ka shkruar: “Burimi i informuar, megjithatë, theksoi: është e qartë për Iranin se pretendimi i ShBA-së për negociata është thjesht një ‘projekt i tretë mashtrimi’, dhe se amerikanët po ndjekin disa objektiva nën petkun e pretendimit për negociata: së pari, mashtrimin e botës duke paraqitur një imazh në dukje paqedashës dhe një dëshirë për t’i dhënë fund luftës; së dyti, mbajtjen e çmimit të naftës të ulët globalisht; dhe së treti, blerjen e kohës për t’u përgatitur për një akt të ri agresioni në jug të Iranit përmes një pushtimi tokësor. Ai vuri në dukje: nëse Irani kishte dyshime për rezultatin e negociatave dhe për respektimin e marrëveshjeve nga Amerika para luftës 12-ditore, që nga ajo luftë ai ka dyshime të plota për vetë gatishmërinë e Amerikës për të negociuar në çfarëdo momenti. Amerikanët e nisën luftën gjatë negociatave si në luftën 12-ditore ashtu edhe në luftën e Ramazanit, dhe edhe këtë herë, nën petkun e negociatave, ata po përpiqen të krijojnë terrenin për një krim të ri. Në lufta 12-ditore verën e kaluar Izraeli nisi një sulm masiv ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane, duke shkaktuar një konflikt të karakterizuar nga sulme ajrore reciproke, që në fakt i dha fund bisedimeve bërthamore ShBA-Iran, të cilat po zhvilloheshin në javët para saj”.



