Tekstet dramatike të Hysajt ndërmjet fiksionit dhe të realitetit

30 maj 2022 | 12:29

Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Duke u marrë me aspektet e poetikës së dramës të Fadil Hysajt dhe duke i orientuar ato drejt një përcaktimi teorik, para së gjithash, besojmë se arrijmë tek një konstatim i pashmangshëm se, përmes veprës së këtij autori, në një mënyrë apo tjetrën, definohet një koncept interesant autorial i cili drejtpërsëdrejti ndërlidhet më dhunën, të keqen dhe totalitarizmin, e që nuk ndërtohet brenda skemave, por, para së gjithash, përmes një diskursi hulumtues të vrojtimit panevropian mbi problemet e një shoqërie, qofshin ato të të kaluarës, të sotmes apo edhe futuristike, pra që mund të ndodhin në të ardhmen.

Një autor i përpjekjeve obsesive në dramë

Hysaj, përmes një qasje interesante, në 7 dramat e tija, përmes mundësive që afron dramaturgjia, bënë përpjekje që ta përcaktojë atë që mund të konsiderohet nacionale apo edhe nacionaliste në një shoqëri; të dhunës – fizike apo dhe politike ndaj individit dhe grupit; apo edhe të mohimit të njeriut si qenie e vetëdijshme qoftë si kundërshtar ideologjik, qoftë edhe politik, etj., e deri tek trajtimi i temave të përmasës biblike mbi përpjekjen për asgjësim motivet e së cilës i gjejmë qartë, ta themi tek drama e tij interesante “Shfaqja e fundit”

Në këtë kuadër, ky autor, ndonjëherë, më shumë na vjen përmes përpjekjeve të tija, gati, gati, obsesive për të gjetur përgjigje mbi ato që në shikim të parë edhe mund të na duken si enigma, e që të thuash, na vijnë ashtu, mezi të zgjidhshme e që kanë të bëjnë me të keqen njerëzore. Kështu, Hysaj, me dramat e tija, bënë përpjekje që të hulumtojë guximshëm në hapësirat më të thella të mendjes njerëzore, me ç’rast e zgjeron interesimin tonë madje edhe larg hapësirës e cila, tradicionalisht, me qartësi ndahet nga diskursi dramatik apo edhe, thjeshtë, letrar i vrojtimit të proceseve që kanë të bëjnë me ne.

Këto që bënë Fadil Hysaj në veprat e tija dramatike, janë tipike për autorë që kanë prirje të futen në tema që ndokush edhe mund t’i konsideroj të tabuizuara, të zhbirojë nëpër to në një proces të pashtershëm hulumtimi, e kështu, në mënyrë të hapur apo edhe të mbuluar (të fshehtë) të bëjë thirrje për kundërvënie qytetare dhe njerëzore ndaj të këqijave dhe padrejtësive që ndodhin në një shoqëri, aspekt ky i cili e bënë shumë të identifikueshëm qëllimin e këtij autori, në veçanti, në dramat e cilësuar nga profesor Josif Papagjoni, njëri prej recensentëve të këtij libri, si autoriale.

Shi për këtë, ndoshta, si problem i parë e i madh, për studimin e dramaturgjisë së Fadil Hysajt na vjen, sidomos marrëdhënia e ndërthurur ndërmjet aspektit letrar dhe atij dramatik të veprës së Hysajt, me diskursin historik të kësaj dramaturgjie, si pjesë e dokumenteve apo edhe të kontinuitetin të ndodhive që na vijnë të binjakzuara ndonjëherë pazgjidhshëm. E, nga rrjedh logjikshëm na rrjedhin edhe pyetje të shumta të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë dramaturgji, ku, vend të veçantë zë ajo se: përse dhe në ç’masë dramaturgjia ia del që, përmes mjeteve të saj specifike shprehëse ta tejkalojë hendekun ndërmjet tmerrit të ngjarjeve dhe pamundësisë të prezantimit të plotë të tyre në një vepër të shkruar për teatër!?

Ndikimi i Fukos tek konceptet dramaturgjike të Hysajt

Që të hapet kjo hapësirë interpretative ndaj veprës së Fadil Hysajt, ma e thotë mendja se është e domosdoshme që, të gjithë ne, të zhytemi brenda një shqyrtimi të domethënshëm teorik të këtyre 7 dramave, përmes të cilave do të shqyrtohej edhe aspekti i fatit njerëzor në një vepër, e mbi të gjitha, në një kontekst më të gjerë edhe vetë roli i historisë në dramën e Hysajt apo edhe në dramaturgji tonë në përgjithësi duke e ndërlidhur dramën me antropologjinë.

Kështu, derisa lexojmë dramat e Fadil Hysajt, në një moment sikur na krijohet një lloj percepcioni se domethënie të madhe në tërë këtë opus krijues, e ndonjëherë edhe vendimtar, ndoshta, mund të ketë pasur koncepti i Majkëll Fukosë shqyrtimet e guximshme të të cilit na sjellin deri tek vetë legjitimiteti i disa nocioneve qendrore, siç janë, ta themi – dokumentet dhe kontinuiteti, e të tjera si këto, të cilat e kanë përbërë shtyllën kryesore dhe të domosdoshme të tërësisë së veprimeve në procesin e të kuptuarit të të vërtetës historike të një populli, të një vendi apo edhe të një qytetërimi.

Poende, mund të thuhet se Fukoja është një autor i rëndësisë jashtëzakonisht të madhe për Hysajn dhe konceptet e tija dramaturgjike, ngase tek disa prej dramave ky autor sikur na e sjell në tapet të qartë atë që, në një kontekst alegorik e quajmë sfidë të Shën Antonit, përmes së cilës ky autor dramash përpiqet që të mbrojë parimin e vetë poetik të cilin e gjejmë tek dramat si “Shfaqja e fundit”, “Vdekja e Gjergjezit” apo edhe “Molla e Adamit”.

Në këtë kuadër dramat e Fadil Hysajt, mbase në tërësinë e tyre, sikur mbështetet tek teza bazike e Fukosë e cila ndërtohet, gjithashtu mbi tekstin e Flobertit mbi atë se: “është një vepër e cila shtrihet nëpër hapësirat e librave tashmë ekzistues. Ajo i mbulon ato, i fsheh dhe vetëm me një lëvizje të vetme ia del që t’i bëjë ato të shkreptijnë dhe, gjithashtu, përnjëhershëm të shuhen.”

Është  pikërisht kjo doktrinë që, sipas mendimit tonë, i shërben Fadil Hysajt në dramaturgji që ta legjitimojë veprimin rrëfyes të kontaminimit të të tejdukshëm të elementëve disparativ në një artefakt unik, pra të vetëm, si veprim i inovativiteti i cili, mbase mund të zgjojë edhe një rezistencë më të ashpër të kritikës konservative të dramës dhe të teatrit tek ne, siç edhe ka ndodhur, aty-këtu, me ndonjërën prej këtyre dramave, e sidomos me “Shfaqjen e fundit”, por edhe me “Vdekjen e Gjergjezit”.

Thyerja e kauzave të të rrëfyerit kontinuitiv në dramë,

Për sa i përket atyre pjesëve të hulumtimeve të Fukosë e cilat kanë të bëjnë me historinë dhe historicizmin, e të cilat, pa fije dyshimi kanë ndikuar tek modelet e dramës së Fadil Hysajt, modele të cilat ky autor, siç e shohim, i ka zhvilluar në kontinuitet tek 7-të veprat e tija dramatike, dhe jo vetëm, mund të thuhet se, ndoshta, në këtë marrëdhënie, e rëndësisë vendimtare është thyerja e domosdoshmërive të kauzave të të rrëfyerit kontinuitiv në dramë, apo edhe të ngjarjeve historike si dhe të radhitjes së tyre në një model të rrjedhshëm, qarkor dhe dikontinuitiv e që, sigurisht ndodh të jetë vrastar për shumë përpjekje në dramë.

Duke i lexuar dramat si “Shfaqja e fundit”, “Vdekja e Gjergjezit”, Simedea, “Molla e Adamit”, “Shtëpia në ankand”, etj., dhe duke e bërë interpretimin e tyre në këtë kontekst, nuk do mend se do të arrijmë mu tek përfundimet që kanë të bëjnë me mosbesimin e njerëzve tek individë dhe bartës të institucioneve të caktuara, tek absolutja e cila përpiqet të na imponohet edhe sot e këtu, si dhe legjitimimi i saj, të cilat Hysaj i kundërshton fuqishëm në dramat e tija.

Nga kjo edhe qarkullimi i lëvizjeve historike në mënyrën më të qartë tek “7 dramat” si: “Udhësi i majës së lart”, “Plagët e Gjergjezit”, “Shfaqja e fundit” dhe, së fundmi edhe “Shtëpia në ankand”, rrjedh një lloj skepticizmi të cilin e posedon ky autor karshi metafizikës së shpëtimit e cila është një kolonë dominante në këtë dramaturgji dhe e cila rrjedh përmes alternimeve të karaktereve tek këto drama, apo edhe të një kaosi qytetar që shpie në një kaos të rendit biblik në këtë vepër.

Në këtë kontekst, nëse do të shërbeheshim pikërisht me konceptet dhe teoritë e Fukosë, mund të konstatojmë se vepra e Fadil Hysajt e determinon të dyfishtën, edhe në planin dramaturgjiko-letrar edhe në planin historik, njëherë përmes idesë mbi librin si hapësirë e njëmendtë e imagjinatives krijuese, mbi atë që, sikundër e thotë edhe Aristoteli ka ndodhur, ka mundur të ndodh apo edhe mund të ndodh; e, nga ana tjetër, ngase aty hasim edhe një lloj afrie që ndërlidhet me të vrojtuarit e Hysajt mbi historinë dhe rrjedhën e saj tek shqiptarët në një kontekst më të gjerë kohor. E kjo, bëhet, saktësisht përmes ideve të Fukosë mbi atë që e thamë më lartë diku.

Vërejmë se, tek këto 7 drama, është e qartë se Hysaj e ka shumë mirë të njohur edhe natyrën e kthesave, ndonjëherë edhe diskontinuitive të ngjarjeve, në veçanti në gjysmën e dytë të shekullit XX si dhe në fillim të këtij shekulli në të cilin po jetojmë sot. Ndaj dhe ky autor, bënë përpjekje që të paraqesë para nesh një lloj “koalicioni” ndërmjet dramaturgjisë, nga njëra dhe të historisë nga ana tjetër, pa të cilin vështirë se do të funksiononin idetë e këtyre dramave. Ndërsa, mu kjo qasje, jo rrallë, krijimtarinë dramatike, por edhe atë teatrore të Hysajt qoftë si autor dramash apo edhe si regjisor, e futë thellë në antropologji.

Tekstet dramatike në cep të marrëdhënieve ndërmjet fiksionit dhe realitetit

Veç kësaj, tekstet dramatike të Fadil Hysajt, duke vepruar në cep të marrëdhënieve ndërmjet fiksionit dhe të realitetit, gjithnjë ndalojnë diku para problematikës së atyre pjesëve të një kulture rrënjët më të forta të së cilës janë lidhja me botën, me realitetin që i përket asaj duke e futur kështu në krijimtari dramatike, qëllimshëm, në një proces të objektivizmit të fotografisë së përgjithshme mbi ndodhitë që kanë ndodhur apo që ky autor i parashihte se mund të ndodhin (shih tek Shfaqja e fundit).

Në këtë kuadër, dramatika dhe libri si dokument, nga ana e tjetër, vijnë para nesh si dy produkte kulturale që, ndër të tjerat e kanë për qëllim që – pashmangshmërinë dhe domosdoshmërinë e “realitetit” ta vënë nën objektivin e më shumë pyetjeve.

Për ta përmbyllur këtë që e thamë më lartë, ky libër me “7 drama” i autorit Fadil Hysaj, është dëshmi dhe tregues i asaj se libri mund të veprojë brenda një logofantazme, ndërkohë që i tërë ky opus dramatik i titulluar më së thjeshti që do të mund të bëhej me këtë titull, besojmë se në një mënyrë apo tjetrën i përkushtohet dekonstruimit të “dokumenteve” të një kohe si bartëse kruciale të mitit të himerës të cilën, në rastin konkret, mbase edhe mund ta quajmë si një e vërtetë historike e një vendi, një kohe dhe e një kombi.

Kështu fantastikja për Hysajn në këtë mënyrë shndërrohet në një diskurs alternativ në të cilin, të thuash, zhbëhen plotësisht kufijtë ndërmjet asaj që mund të parashihet dhe të asaj që nuk mund të parashihet dot brenda të cilit optimizohen edhe vetë mundësitë e të folurit për atë që mund të konstatohet përmes mjeteve të zakonshme të gjuhës në dramë.

Dhe, kështu, me saktësi arrijmë tek ajo që, në krye të këtij eseu e quajtëm diskurs hulumtues i vrojtimit panevropian të këtij autori dhe të skanimit që ky, përmes dramave të tija (jo vetëm të këtyre që i kemi në këtë përmbledhje të rëndësishme prej 7 dramash) mbi problemet e shoqërisë sonë, nga e kaluara jonë, nga e sotmja apo edhe ajo futuristike, pra që mund të ndodhin në të ardhmen e të cilën autorët serioz si Fadil Hysaj mund ta parashikojnë, mbase!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të vendosë për…