
Telashe tjera për Alonson, mbetet me vetëm pesë mbrojtës për ndeshjen ndaj Juventusit
Real Madrid ka mbetur vetëm me pesë mbrojtës të gatshëm, një tjetër goditje vetëm pesë ditë para “El Clásico”-s. Këtë herë është David Alaba ai që ka pësuar një lëndim, duke vazhduar ecurinë e tij të paqëndrueshme sa i përket formës fizike.
Mbrojtësi austriak ishte titullar për vetëm herën e dytë këtë të diel mbrëma ndaj Getafes, por luajti vetëm 45 minuta përpara se të zëvendësohej nga Raul Asencio në pushimin mes pjesëve. Rezulton se ai ka një tërheqje muskulore në këmbën e djathtë. Sipas “Marca”, Alaba pritet të mungojë për 7 deri në 10 ditë.
Qendërmbrojtësi me përvojë do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve këtë javë kundër Juventusit, si dhe në El Clásico-n e së dielës ndaj Barcelonës. Në varësi të shpejtësisë së rikuperimit, Alaba mund të jetë gati për ndeshjen ndaj Valencias në “Santiago Bernabéu”, pas së cilës Real Madridi udhëton në “Anfield” për t’u përballur me Liverpoolin.
Lajmi erdhi pak para se Xabi Alonso të konfirmonte se Dean Huijsen, Dani Carvajal dhe Trent Alexander-Arnold nuk do të jenë gati në kohë për ndeshjen kundër Juventusit. Kjo e lë Real Madridin vetëm me pesë mbrojtës të shëndoshë, tre prej të cilëve janë mbrojtës të majtë: Éder Militão, Raul Asencio, Ferland Mendy, Álvaro Carreras dhe Fran García. Duhet theksuar se Fede Valverde ka luajtur shpesh si mbrojtës i djathtë, ndërsa Eduardo Camavinga dhe Aurélien Tchouaméni janë përdorur gjithashtu në mbrojtje në disa raste. Carreras ka luajtur edhe në një mbrojtje me tre këtë sezon.
Shpresa e Real Madridit është që Huijsen, Carvajal dhe Alexander-Arnold të jenë të gatshëm në kohë për El Clásico, ndonëse vetëm qendërmbrojtësi pritet të jetë titullar. Kjo do të thotë se Alonso parashikohet të rreshtojë Carreras, Huijsen, Militão dhe Valverde në mbrojtje për Clásico-n, me Asencion që do ta zëvendësojë Huijsenin deri në rikthimin e tij.