
Telefonata “e jashtëzakonshme” që bindi Hamasin të besojë Trumpin
Plani i paqes i Donald Trump për Gazën dhe armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor mbështetet në besimin e Hamasit ndaj presidentit amerikan.
Duke pasur parasysh që grupi e ka quajtur më parë Trumpin racist, apo “recetë për kaos” dhe një njeri me një vizion absurd për Gazën, kjo dukej e pamundur deri vonë. Por, sipas një raporti të Reuters, “një telefonatë e jashtëzakonshme” e zhvilluar muajin e kaluar ishte vendimtare për të bindur Hamasin të dorëzonte pengjet izraelite të mbetura, të vetmen levë që kishte në këtë luftë, thanë dy burime palestineze për agjencinë.
Çfarë ndodhi pas sulmit në Katar?
Gjatë telefonatës, Trump vendosi në linjë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë në shtator. Presidenti amerikan e bindi Netanyahun t’i kërkonte falje kryeministrit të Katarit për sulmon izraelit ndaj një kompleksi banimi në Doha, ku strehoheshin liderë politikë të Hamasit.
Menaxhimi që Trump i bëri bombardimit në Katar (që nuk arriti të vriste zyrtarët e Hamasit që kishte në shënjestër, përfshirë negociatorin kryesor Khalil al Hayya) i dha Hamasit më shumë besim se ai mund t’i bënte ballë Netanyahut dhe se ishte serioz për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Basti i rrezikshëm me pengjet
Pas nënshkrimit të planit të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-të këtë javë, Hamasi ka vendosur besim të mëtejshëm në fjalën e Trump-it, i cili vetëm këtë vit kishte propozuar dëbimin e palestinezëve nga Gaza dhe rindërtimin e saj si një resort turistik nën kontrollin amerikan.
Hamasi pranoi të dorëzonte pengjet pa një marrëveshje për një tërheqje të plotë izraelite, sipas kushteve të marrëveshjes. Dy zyrtarë të tjerë palestinezë nga Hamasi pranuan për Reuters se ky ishte një bast i rrezikshëm, që mbështetet në angazhimin personal të Trump-it për të mos lejuar dështimin e marrëveshjes.
Liderët e Hamasit janë të vetëdijshëm se ky bast mund të kthehet në një “bumerang”, tha një zyrtar i Hamasit për agjencinë.
Shumë anëtarë të Hamasit ende frikësohen se, pasi të lirohen pengjet, Izraeli mund të rifillojë fushatën ushtarake, ashtu siç ndodhi pas armëpushimit të janarit, ku ekipi i Trump-it ishte gjithashtu i përfshirë.
Trump e vulos marrëveshjen me telefonata në Egjipt
Megjithatë, gjatë bisedimeve indirekte me Izraelin në një qendër konferencash në resortin Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq, Hamasi u sigurua mjaftueshëm nga prania e aleatëve të ngushtë të Trump-it dhe fuqive rajonale për të nënshkruar armëpushimin, edhe pse shumë nga kërkesat kryesore të grupit mbeten të pazgjidhura, përfshirë hapat drejt një shteti palestinez.
Një zyrtar i Hamasit tha për Reuters se entuziazmi i Trump-it “ndihej fort” në qendrën e konferencave.
Ai telefonoi personalisht tre herë gjatë sesionit maratonë, shtoi një zyrtar i lartë amerikan, ndërsa dhëndri i tij Jared Kushner dhe i dërguari Steve Witkoff lëviznin mes negociatorëve të Izraelit dhe të Katarit për të përcjellë mesazhet e tij.