
Temperaturat e larta në Evropë, rritet numri i viktimave në Spanjë
Të paktën 102 persona kanë vdekur në valën e parë ekstreme të të nxehtit të vitit që filloi të shtunën e kaluar në Spanjë.
Kjo është raportuar nga Sistemi i Monitorimit të Vdekshmërisë Ditore të vendit, ndërsa alarmi për nxehtësinë mbytëse vazhdon në 12 nga 17 rajonet e Spanjës me paralajmërime për temperatura ekstreme, sipas agjencisë shtetërore meteorologjike Amet në faqen e saj të internetit.
Në provincat e Andaluzisë, si Kordoba, Sevilja dhe Jaén, në jug të Gadishullit Iberik, ku alarmi është portokalli, për rrezik të konsiderueshëm, termometri do të kalojë 42 gradët. Ndërsa i nxehti anormal vazhdon të marrë viktima, të paktën 4 në 48 orët e fundit, Amet parashikon temperatura maksimale midis 38° dhe 39° në rajonin verior të Castile dhe Leon.
Vdekje edhe në Itali, alarmi i kuq vijon në 20 rajone
Italia paralajmëroi temperatura ekstreme në 20 qytete të premten dhe 15 të shtunën. Fundjava që po vjen do të karakterizohet nga nxehtësia e madhe në të gjithë Italinë. Buletini i valës së të nxehtit të Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se dita më kritike do të jetë e premtja, 4 korrik, kur qytetet me “alarm të kuq” (alarm niveli 3, më i larti) do të jenë 20, dy më shumë se e enjtja. Të shtunën, 5, qytetet me “alarm të kuq” do të bien në 15 ndërsa temperaturat maksimale do të mbeten shumë të larta, veçanërisht ato të perceptuara. Të mërkurën në Itali u shënuan 4 viktima. Dy burra humbën jetën në plazh në Sardenja, një i vdekur u shënua në zonë urbane dhe i katërti në një autostradë. Italia ashtu si shtete të tjera ka miratuar protokollin e vapës, i cili ndalon punën nga ora 12.30 pas mesdite deri në orën 16. Në Milano temperatura e matur e tokës gjatë një episodi shënoi 47.5 gradë celcius.
Zjarr masiv në Kretë, evakuohen 5 mijë persona
Rreth 5,000 persona, kryesisht turistë, janë evakuuar nga rajoni i Lasithit në ishullin grek të Kretës për shkak të një zjarri pyjor që shpërtheu të enjten dhe që ka qenë jashtë kontrollit që nga e hëna. Pesë qytete bregdetare janë evakuuar deri më tani. Rreth 230 zjarrfikës me 46 automjete dhe 13 pajisje ecjeje po operojnë në zonë, të vendosur në Kretën lindore, ndërsa 10 helikopterë dhe cisterna po shpërndajnë ujë për të kontrolluar flakët. Disa shtëpi në zonë janë prekur nga flakët, sipas nënkryetar i bashkisë së Ierapetrës. Katër persona janë shtruar në spital me probleme me frymëmarrjen, ndërsa në disa raste autoritetet kanë ndërhyrë për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre. Në qytetin Ayia Fotia, i cili u evakuua gjithashtu, dy persona të bllokuar në një plazh u shpëtuan nga një varkë private me ndihmën e Rojës Bregdetare. Zjarri shpërtheu dje pasdite pranë qytetit bregdetar të Ayia Fotia dhe u përhap me shpejtësi në perëndim përgjatë bregdetit, i nxitur nga erërat e forta.
Turqi, dy zjarre dolën jashtë kontrollit pranë Izmirit
Dy vatra masive zjarri shpërthyen të enjten në provincën e Izmirit, të nxitura nga erërat që po e ndërlikojnë punën e zjarrfikësve, sipas autoriteteve lokale. “Erërat e forta po e bëjnë të vështirë shuarjen e zjarreve në Izmir”, tha Drejtoria Pyjore e Turqisë në X, ndërsa aeroplanët dhe helikopterët e shuarjes së zjarreve rifilluan operacionet në agim. Banorët në të paktën pesë lagje pranë dy zjarreve në të dyja anët e qytetit të Izmirit, njëri në lindje dhe tjetri në perëndim pranë vendpushimit bregdetar të Çeşmesë (80 km larg), janë evakuuar si masë paraprake, por nuk janë raportuar viktima. Imazhet e postuara në internet të zjarrit në Çeşme tregojnë qiellin e errësuar nga re të mëdha tymi dhe flakë që përplasen në majat e pemëve.
UNICEF: Deri në vitin 2050, 2.2 miliardë fëmijë të ekspozuar ndaj valëve të shpeshta të të nxehtit»
UNICEF tha se deri në vitin 2050, pothuajse të gjithë fëmijët në botë, afërsisht 2.2 miliardë, do të ekspozohen ndaj valëve të shpeshta të të nxehtit. Stresi nga i nxehti është një shkak i drejtpërdrejtë i vdekshmërisë foshnjore dhe mund të ndikojë në rritjen e fëmijëve dhe të shkaktojë një sërë sëmundjesh pediatrike. Qytetet evropiane janë gjithnjë e më të nxehta: pothuajse gjysma e shkollave në qytetet evropiane ndodhen në ‘ishuj nxehtësie’, që vënë në rrezik mirëqenien e vajzave, djemve dhe adoleshentëve, ndërsa afërsisht një shkollë në dhjetë ndodhet në zona të prekura nga përmbytjet.