Tenderi i Adi Krastës në RTK- Auditorët zbulojnë shkeljet ligjore

04 qershor 2025 | 00:21

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për vitin 2024, ku pos tjerash e ka përmendur edhe shmangiet ligjore që janë bërë në një tender të vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për tenderin që ishte dhënë me “izë” të Adi Krastës, atëbotë zëvendësdrejtor i televizionit publik, një kompanie nga Shqipëria për realizimin e dizajnit dhe grafikave për festivalin e RTK’së.

ZKA’ja thotë se aty nuk kanë arritur ta arsyetojnë pse iu janë shmangur konkurrencës për ofrim të shërbimit të dizajnit.

“Gjatë vitit, 2024 RTK kishte lidhur kontratë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim për lidhjen e një kontrate për “Realizimin e dizajnit dhe grafikeve për Festivalin e Këngës në RTK 2024” në vlerë prej 10,150€ me një kompani nga Shqipëria, pa dokumentuar qartë arsyetimin ligjor për shmangien e publikimit dhe konkurrencës. Nuk ishte evidentuar ndonjë situatë emergjente, as ndonjë rrethanë që e bënte të pamundur zbatimin e procedurave të tjera të hapura apo të kufizuara, siç kërkohet nga Ligji për Prokurimin Publik”, thuhet në raportin e ZKA’së.

Lidhur me çështjen e kontraktimit të kompanisë për dizajn grafik nga Shqipëria, raporti citon vendimin e aprovuar nga Krasta për fillimin e kësaj procedure, ku arsyetohej: “…mungesa e stafit të profilizuar për dizajnimin grafik ka shfaqur nevojën që për festivalin e këngës të angazhohen shërbime nga jashtë RTK-së”.

ZKA’ja përmend edhe çështjen e veturave, për sigurimin e tyre nëpërmjet kontratës së negociuar.

“Gjithashtu, RTK nuk kishte arritur të bënte zgjidhje afatgjatë ose me kohë për shfrytëzimin e veturave për nevojat e RTK-së edhe pse kishte kontratë publike për 60 muaj. Pas skadimit të kësaj kontrate kishte përdorur procedurë të negociuar për kontratën ‘Shfrytëzimi afatshkurtër i veturave për nevojat e RTK-së’ në vlerë 33,900€“, thotë raporti i ZKA’së tutje.

Insajderi kishte raportuar për tenderin e dhënë nëpërmjet procedurave negociuese për firmën nga Tirana e Shqipërisë.

“AK CREATIVE” ishte kompania e zgjedhur fituese për realizimin e dizajnimit dhe grafikave për Festivalin e Këngës në RTK për vitin 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas një…