
Tenderi i diskutueshëm i “Termokos”-it me vlerë milionëshe, qytetarët në pritje të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, OShP pritet të vendosë
Gjatë monitorimit të projekteve madhore dhe me rendësi vitale për qytetarët, dyshime serioze për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik, mungesë transparence dhe trajtim të pabarabartë janë ngritur rreth projektit të prokurimit me numër të prokurimit: 22600-24-2151-1-1-1, i iniciuar nga ndërmarrja publike “Termokos” për projektin “Zgjerimi i rrjetit dhe intervenimi ne nënstacionin termike – Loti 2”.
Ky projekt strategjik po tentohet të anulohet për herë të dytë, pasi një anulim i parë ishte bërë edhe në fund të vitit 2024 pa dhënë asnjë sqarim publik, duke shkaktuar zvarritje të konsiderueshme në implementimin e zgjerimit të shumëpritur të rrjetit të ngrohjes në kryeqytet, shkruan “Epoka e re”.
Arsyeja e anulimit të dytë në vendimin e publikuar në portalin e-prokurimi thuhet të jetë një gabim i zyrtarit të Njësisë Kërkuese në përpilimin e dosjes së tenderit, përkatësisht paramasa dhe aneks 6. Përkundër kësaj “Termokos”-i nuk ka bërë përmirësimet e duhura gjatë afateve ligjore por ka vazhduar me ketë aktivitet duke trajtuar dokumentacionin e dorëzuar nga tre operatorë. Në këtë aktivitet kanë ofertuar tri kompani; një Grup i Operatorëve ekonomik të udhëhequr nga dy kompani gjermane, një kompani bullgare si dhe një kompani vendore.
“Epoka e re” në lidhje me ketë temë i ka dërguar pyetje “Termokos”-it, përkatësisht kryeshefit ekzekutiv të saj Fisnik Osmani në adresë të zyrës për informim. Edhe pse na është thënë për t’ua dërguar pyetjet, gazeta deri me rastin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndonëse ky projekt ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e mijëra qytetarëve të Prishtinës, veçanërisht në lagjet që ende nuk janë të lidhura me sistemin qendror të ngrohjes.
Vendimi i fundit për anulim, i datës 20 maj 2025, po kundërshtohet fuqishëm nga grupi i operatorëve ekonomikë të udhëhequr nga kompania gjermane ZILONIS Energy Solutions GmbH, të cilët pohojnë se janë eliminuar padrejtësisht dhe në kundërshtim me LPP, pavarësisht se kanë përmbushur të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit.
Ky vendim është i pabazuar ligjërisht dhe cenon parimin e trajtimit të barabartë, të garantuar me nenin 7 të LPP-së (Parimet Themelore të Prokurimit), si dhe parimin e proporcionalitetit dhe sigurisë juridike.
“Epoka e re” i ka drejtuar pyetje edhe operatorit ekonomik, ZILONIS Energy Solutions GmbH, i cili ka parashtruar ankesë pranë Autoritetit Kontraktues si dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
“Bazuar në përvojën tonë dhe analizën e dokumentacionit, kemi argumentuar se ky anulim nuk është në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik. Mungesa e njësive dhe sasive në dokumentacionin e tenderit nga ana e AK-së, e ndjekur nga penalizimi i operatorit që i ka ofruar ato saktë, krijon një situatë të padrejtë”, ka treguar kjo kompani.
Për më tepër, Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, duke anuluar aktivitetin e prokurimit pas shqyrtimit dhe vlerësimit të plotë të ofertave teknike dhe financiare, gjë që bie ndesh me nenin 62, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili përcakton se aktiviteti i prokurimit mund të anulohet vetëm për raste të arsyeshme, dhe gjithashtu me nenin 10, parimi i transparencës dhe parimi i proporcionalitetit, të cilat kërkojnë që veprimet e Autoritetit Kontraktues të jenë të arsyetuara, të balancuara dhe në interes të mbrojtjes së konkurrencës së ndershme dhe integritetit të procesit.
Sipas dokumenteve zyrtare të komisionit të vlerësimit (të cilin e ka pranuar edhe redaksia jonë), ZILONIS dhe partnerët e tij – përfshirë PEWO Energietechnik GmbH, AVK Power L.L.C. dhe AR-Tech SH.P.K. ishin të vetmit ofertues që kishin përmbushur në tërësi kriteret teknike dhe ligjore, por pavarësisht kësaj, Autoriteti Kontraktues me insistimin dhe vlerësimin e zyrtarit të Njësisë Kërkuese, i cili vet kishte gabuar në përpilim të dosjes – ani pse këto gabime nuk përbenin asnjë ndryshim material apo financiar, vendosi të anulonte tenderin për shkak të një “mospërputhjeje” në dokumentacionin teknik, e cila sipas OE-ve është shkaktuar nga vetë zyrtarët e “Termokos”-it dhe nuk përbën shkelje nga ana e ofertuesve.
Të dy operatorët tjerë ishin eliminuar për shkak të gabimeve të tyre në plotësimin e dosjes së tenderit, të përshkruara edhe në raportin e vlerësimit të komisionit.
GOE Zilonis kishte njoftuar Autoritetin Kontraktues në lidhje me diskriminimin që po i bëhej, përkundër që vetë komisioni i vlerësimit i kishte nxjerrë si të përgjegjshëm në të gjitha kërkesat e DT, por i njëjti nuk e ka trajtuar fare madje as kërkesën për rishqyrtim të parashtruar brenda afatit ligjor dhe të enjten e kishte refuzuar me arsyetimin se zyrtari i njësisë kërkuese kishte kërkuar që aktiviteti të anulohet dhe të rishpallet përsëri pa dhënë asnjë argument në pretendimet e GOE Zilonis.
Ka qenë një insistim i madh dhe i pakuptueshëm i zyrtarit të njësisë kërkuese që ky proces të anulohet. Involvimi i njësisë kërkuese në vlerësim të dosjes së tenderit apo kërkesës për rishqyrtim është i jashtëligjshëm, pasi që sipas LPP është emëruar një komision prej 3 anëtarëve të cilët e kanë nxjerr të përgjegjshëm në të gjitha pikat konzorciumin tonë. Edhe pas kërkesës për rishqyrtim, është e çuditshme se si e tërë barra i është lënë një personi (zyrtarit të njësisë kërkuese – kjo dëshmohet në vendimin e AK), për të vendosur për fatin e një projekti kaq të rëndësishëm. Edhe kjo është një shkelje drastike dhe skandaloze nga ana e AK-së.
ZILONIS më pas kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ku aktualisht është në pritje të vendimit.
ZILONIS po ashtu ka deklaruar se përgatitja e ofertës ka kërkuar një angazhim teknik dhe financiar të madh, duke përfshirë ekspertizë ndërkombëtare dhe një kosto të madhe.
Kompania ka paralajmëruar se, për shkak të trajtimit diskriminues dhe mungesës së transparencës, kjo mund të ndikojë në tërheqjen e investimeve të saj nga Kosova, përfshirë procesin e prodhimit industrial, përkatësisht këmbyesve të nxehtësisë që ka filluar në Kosove dhe për herë të parë në Ballkan dhe që ka potencial të punësojë një numër të konsiderueshëm të punonjësve lokalë.
ZILONIS ka paralajmëruar se do të ndërmerr të gjitha masat për të ndjekur të gjithë hapat ligjor si dhe duke njoftuar të gjitha institucionet që lidhen me investimet gjermane në Kosovë, meqë teknologjia e ofruar është certifikuar nga prodhues gjermanë.
Ndërkohë gazeta ka kuptuar se edhe Loti 1 i këtij aktiviteti ka hyrë në ngërç procedural për shkak të ankesave të njëpasnjëshme nga operatorët ekonomikë kundrejt Autoritetit Kontraktues, çka ka ngritur dyshime të mëdha për trajtimin e këtij projekti në tërësi dhe për profesionalizmin e zyrtarëve të “Termokos”-it.
Qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë filluar të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë, duke theksuar se është e papranueshme që projektet të kësaj natyre strategjike të zvarriten për shkak të vendimeve të kontestuara dhe të mungesës së një procesi të drejtë prokurimi.
Vendimi i ardhshëm i OShP-së shihet si thelbësor për integritetin institucional dhe besueshmërinë e sistemit të prokurimit publik në Kosovë. Të gjithë sytë janë tani te ky organ, që pritet të vendosë për drejtësinë dhe ligjshmërinë e një rasti që po përshkallëzohet në një test të madh institucional.