
Tensionet nga dronët rusë, Danimarka përforcon mbrojtjen ajrore me 16 avionë F-35
Danimarka planifikon të blerë 16 avionë të rinj luftarakë amerikanë F-35, me qëllim forcimin e sistemit të saj mbrojtës, njoftoi sot ministri i Mbrojtjes, dy javë pas shkeljes së hapësirës ajrore nga dronë të paidentifikuar.
“Kemi arritur një marrëveshje politike për të blerë edhe 16 avionë F-35, në mënyrë që të kemi më shumë njësi të gatshme për operacione në të ardhmen”, deklaroi ministri Troels Lund Poulsen gjatë një konference për shtyp.
Kostoja e kësaj blerjeje, që do ta çojë numrin total të avionëve F-35 të Danimarkës në 43 njësi, kap shifrën 29 miliardë korona daneze (rreth 3,88 miliardë euro).
Sipas kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Michael Hyldgaard, kjo blerje është një shtesë strategjike për mbrojtjen kombëtare dhe aleancën:
“Me blerjen e mëtejshme të avionëve F-35, kapaciteti ynë luftarak forcohet ndjeshëm. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë parandaluese dhe në mbrojtjen kolektive të NATO-s”, tha ai.
Përveç kësaj, Danimarka do të investojë edhe në sisteme kundër-dronësh, për të luftuar ndërhyrjet ajrore nga mjete të paidentifikuara.
Kostoja për këtë projekt është rreth 2,1 miliardë korona daneze (rreth 281 milionë euro).