Tentoi trafikimin e drogës nga Kosova në Shqipëri, kapet në flagrancë prizrenasi
Një 33-vjeçar nga Prizreni është arrestuar sot në pikën kufitare të Morinës, nën dyshimin se tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri.
Bazuar në njoftimin e Policisë së Shqipërisë, në veturën e të dyshuarit u gjetën mbi 100 gramë kanabis, dhe e njëjta sasi u sekuestrua, bashkë me automjetin.
“Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, goditën një tjetër rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, në Shqipëri. Për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 33 vjeç, banues në Prizren”.
“Gjatë kontrollit fizik të kryer në vijë të dytë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 33-vjeçarit iu gjetën me vete, 101 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.



