
Ter Stegen: Flick ishte shumë i guximshëm
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit të sezonit në ‘Estadio Olímpico’ ndaj një Villarreal-i luftarak, Barcelona festoi titullin kampion së bashku me tifozët.
Një nga protagonistët e këtij sezoni (edhe pse mbeti jashtë për nje kohë të gjatë për arsye dëmtimi), ishte pa dyshim portieri gjerman Marc-André Ter Stegen, i cili foli për mikrofonat e DAZN pas përfundimit të ndeshjes.
Portieri i katalanasve u ndal veçanërisht te puna e trajnerit Hansi Flick, i cili mori drejtimin e skuadrës në verë:
“Trajneri pati një qasje shumë të guximshme. Në fillim e patëm të vështirë, por më pas gjetëm ekuilibrin. Bëmë gjithçka që na kërkoi ai dhe stafi i tij, edhe pse ndonjëherë e vumë në provë deri në kufi”.
Ter Stegen nuk e fshehu entuziazmin për suksesin e arritur dhe rikujtoi atmosferën e fillimit të sezonit, kur nuk mungonin dyshimet:
“Jam shumë i lumtur për të. Gjithçka shkoi shumë mirë. Mbaj mend që në verë, kur luajtëm ‘Trofeun Gamper’, kishte shumë dyshime. Por me kalimin e ndeshjeve, të gjitha ato u zhdukën”.
Me këtë deklaratë, Ter Stegen nënvizon se fitorja e titullit është fryt i punës dhe besimit që skuadra pati te Flick, duke e quajtur këtë sezon një sukses të merituar pas një fillimi të vështirë.