Tërbimi i njeriut dhe flijimi i fundit i qenit

21 maj 2021 | 09:32

Nasi Lera

Tërbimi i njerëzve ishte në sytë e qenve. Ai kishte ndodhur krejt papritur. Njerëzit kishin qenë të shqetësuar për gjatë tërë ditës, por askush nuk kishte menduar se ata do tërboheshin. Kur ndodhi kjo, të gjithëve iu duk si diçka që nuk kishte për të vazhduar përtej kufirit të së zakonshmes.

Të nesërmen banorët do të gdhiheshin si përherë. Megjithatë asnjëri nuk vuri gjumë në sy. Natën e kaluan zgjuar në një gjendje të mbërthyer nga një dehje që nuk e kishin provuar ndonjëherë dhe që ndryshe nga avujt e alkoolit, nuk u preku trurin dhe sytë. Të paktën kështu mendonte shumica e tyre. Truri punonte në rregull, sytë nuk e kishin vështrimin të mjegulluar, madje ata e depërtonin errësirën e natës me mirë se dritën e ditës. E përsëri kishte diçka të pashpjegueshme në tërë qenien e tyre, të cilën e përcillnin duke thënë se ajo ishte kalimtare. Një natë pa gjumë dhe asgjë tjetër. Net të tilla gjenden te çdo njeri, te çdo qytet.

Kurse qentë e ndjenë se ajo ishte nata e parë, që i ngjante tërbimit, mikrobet e të cilit përhapeshin në mënyrën më të padukshme dhe më tinëzare. Ata e nuhatën erën që lëshon tërbimi dhe u strukën të tmerruar në rrënojat e thertores së vjetër të qytetit. Qentë shkuan aty jo në tufë por një nga një dhe, befas, panë se e gjithë salla e madhe ishte mbushur plot. Atë natë, për herë të parë, nuk i lehën njëri-tjetrit. Edhe ata që nuk e harronin kurrë urrejtjen e vjetër, u ngjeshën bashkë dhe më shumë se u ngrohën i përcollën njëri-tjetrit frikën që endej jashtë në formën e tërbimit të njeriut. Qentë më të frikësuar ishin ata që kishin braktisur shtëpitë nga që nuk po i njihnin të zotët e tyre. Ata u ndjenë qen për herë të parë kur u shkrinë me qentë e rrugëve që vetëm u ishin hakërruar kur u afroheshin në rrugë apo kur qëndronin para portës së shtëpisë, me shpresë se dikush mund ta hapte dhe t’i hidhte diçka për të ngrënë.

Kohët e fundit qentë e rrugëve ishin shumë të uritur. Njerëzit vetëm u bërtisnin me inat, ndërsa fëmijët i qëllonin me gurë. Sa shumë gurë kishte pasur qyteti për të qëlluar qentë! Por si të bërtitura ashtu edhe gurët nuk ishin asgjë përballë tërbimit të njeriut. Ata ishin krejt të pambrojtur përballë atij tërbimi. Sepse e dinin: gjersa njerëzit qëllonin qiellin, që kishte qenë përherë i pafajshëm, mund të qëllonin mbi çdo gjë. Sytë iu lodhën nga që e mbanin kokën gjithmonë lart. Çatisë së thertores tjegullat i ishin vjedhur ose i ishin thyer dhe kur panë natën të binte nga vendet e mbetura të zbuluara, ajo iu duk sikur ishte grirë në makinat e mishit që dikur zhurmonin kurse tani heshtnin të ndryshkura. Andej nga rrëshqiste mishi i freskët, tani pikonte nata, e heshtur, si ta kishte pranuar edhe ajo tërbimin e njeriut.

Dhe ndërsa qentë shpresonin të merrnin një sy gjumë kur të binte ngrohtësia e mëngjesit, sepse njerëzit do të ishin lodhur dhe shurdhuar duke qëlluar tërë natën qiellin, u shtangën kur panë se mëngjesi ishte vazhdimi më i zymtë i natës, e cila jo vetëm nuk i kishte lodhur dhe shurdhuar, por i kishte dehur dhe tani i nxiste të shihnin qiellin, që nuk ishte cenuar aspak nga të shtënat e tyre. Ai shtrihej kudo i heshtur dhe i qetë si të mos i interesonte çfarë ndodhte poshtë tij. Një re e largët dukej si një fashë që mbështillte një plagë të padukshme. Por qielli nuk kishte nevojë për një fashë resh, sepse nuk kishte asnjë plagë, megjithëse kundër tij ishin hedhur me mijëra e mijëra plumba.

Qentë i pushtoi frika pikërisht në kohën kur njerëzit e ndjenë se kishin qëlluar dhe kishin harxhuar kot tërë ata fishekë. Ky ishte dhe i vetmi çast kur në qytet u vendos njëfarë qetësie. Kishte shumë mundësi që njerëzit kishin kuptuar se gjatë tërë natës nuk kishin bërë gjë tjetër veçse kishin qëlluar ndaj vetes së tyre. Dhe nëse askush nuk kishte asnjë plagë në trup (ndoshta të shtënat pushuan kur njerëzit preknin tërë frikë trupin e tyre, si të kërkonin aty ndonjë plagë të tmerrshme që as nuk dhembte dhe as nuk lëshonte gjak, por që mund të ishte po aq e rrezikshme sa edhe një plagë që dhembte dhe lëshonte gjak), qentë ishin të vetmit që nuhatën gjakun e tejdukshëm që rridhte nga vetvetja e njeriut. Ishte i njëjti gjak që kishte lëshuar edhe nata, kur bëhej shoshë nga të shtënat. Por njerëzit nuk kishin si ta dinin këtë. Tashmë tërbimi i tyre ishte në sytë e qenve si një kob që sapo kishte filluar të qëndronte pezull mbi çatitë e qytetit. Vazhdimi i tij kishte për të qenë si zgjimi i mynxyrshëm  i një gjuhe të vdekur dhe të harruar.

Qentë ndjenë papritur një uri të papërballueshme. Asnjëri nuk e mbante mend kur kishte ngrënë për herë të fundit, por nuk guxonin të dilnin nga thertorja. Të shtënat po dëgjoheshin ngjitur  me muret. Qenve po u dukej sikur i gjithë qyteti, mbasi kishte vrarë vetveten gjatë natës, kishte ardhur për të vrarë qentë. Dhe qentë e dinin se nuk kishin ku të shkonin. Me nuhatjen e tyre kuptuan sa i rrezikshëm ishte një njeri, një qytet, që para se të vriste qentë kishte vrarë vetveten. Një njeriu të tillë dhe një qyteti të tillë nuk i bën dot bisht. Dhe pritën me shpresë se ajo që do t’u ndodhte të mos u ndodhte atë ditë.

Vonë, aty nga mesdita, në thertore hyri një qen i lodhur, me sytë tërë sklepa. Të gjithë ia ngulën sytë barkut të tij. Ai ishte petë. Atë mëngjes askush nuk kishte hedhur mbeturinat e të ngrënave. Kazanët ishin të zbrazët. Edhe minjtë nga uria ishin bërë më të guximshëm. Ata vërtiteshin nëpër rrugë si të ishin të lumtur që ishin zhdukur të gjithë qentë dhe macet. Qyteti ishte i tyre dhe ata ishin të sigurt se do ta thyenin urinë. Në qoftë se kazanët ishin të zbrazët, kjo nuk do të thoshte se qyteti nuk kishte ushqim për minjtë. Ata e dinin ku e mbante ushqimin qyteti. Qentë u strukën duke fshehur  turirin mes njëri-tjetrit. Nuk e shihnin dot urinë që mbretëronte mes tyre. Uria e tjetrit shtonte urinë e tyre. Qyteti me rrugët dhe kazanët e plehrave ishte përtej mureve të thertores më i huaj dhe më i frikshëm se kurrë. Ai kishte rrethuar qentë dhe ishte e habitshme si nuk po hynte brenda. Ndërtesa kishte tërë ato të çara, tërë ato dyer të shkallmuara nga mund të hynte qyteti. Si dukej qyteti nuk kishte mbaruar ende me vetveten. Ai qëllonte në ajër dhe nuk shihte se kazanët ishin të zbraztë. Dhe qentë nuhatën, duke përfytyruar kazanët e zbraztë të plehrave, se njeriu para se të ketë frikë nga diçka tjetër (atë çast qentë nuk e gjenin nga që ishin të hutuar se çfarë mund të ishte ajo diçka tjetër) ia kishte frikën njeriut. Ajo nuk ishte një frikë e panjohur për qentë. Edhe ata kishin frikë të hynin në kufijtë e tjetrit dhe përpiqeshin të jetonin brenda kufijve që i kishin caktuar vetes. Secili prej tyre kishte kazanët e vet të plehrave, dyqanin e tij të mishit, mensat, konviktet, kopshtet e fëmijëve, lulishtet, restorantet. Duke i pasur këto nuk u kishte shkuar në mendje se para se të  trembeshin nga diçka, duhej t’i trembeshin njëri-tjetrit, si po ndodhte edhe atë ditë. Për qentë frika dhe dashuria më e vjetër kishte qenë njeriu dhe vetëm atë pasdite kuptuan se frika më e vjetër e njeriut  ishte njeriu. Këtë e kuptuan nga kazanët e zbraztë të plehrave.

Qentë vendosën në heshtje që sapo të errej secili të shkonte atje ku kishte vite që gjente ushqim. Ata do të dilnin nga thertorja pa zhurmë. Sa menduan fjalën zhurmë iu duk sikur kishin harruar të lehnin. Kishin kaluar njëzet e katër orë dhe në qytet nuk ishte dëgjuar asnjë e lehur qeni. Në atë qytet nuk kishte ngjarë kurrë të mos dëgjohej një e lehur qeni në njëzet e katër orë. Me gjithë dëshirën e madhe që i pushtoi për të dëgjuar zërin e tyre, asnjëri nuk lehu. E lehura mund t’u kujtonte njerëzve se përveç tyre qyteti kishte edhe qen. Për sa kohë që njeriu do mendonte se qyteti ishte veçse i tyre, qentë nuk i kërcënonte asnjë rrezik. Të vetmen gjë që nuk duhet të harronte njeriu ishte hedhja e plehrave. Kaq u mjaftonte qenve.

Edhe kur u err asnjë nga qentë nuk guxoi të nxirrte turirin përtej thertores së braktisur. Tytat e armëve që deri atëherë ishin drejtuar lart, tani ishin ulur, si të merrnin në shenjë hijet e muzgut që lëpihej mureve dhe rrëshqiste pothuaj rrafsh me tokën, si një kafshë e shfaqur papritmas. Qenve nuk u pëlqeu ulja e tytave. Ata e dinin çfarë donte të thoshte. Dhe harruan urinë. Nata ishte edhe më kërcënuese se nata e parë e krismave. Njeriut i ndjehej si frika ashtu edhe tërbimi sa më shumë ulte tytën e armës. Qentë u përpoqën të ndanin frikën nga tërbimi. Kjo ishte e pamundur, sepse nuk kuptohej dot nga të shtënat. Te çdo e shtënë ishte brenda si frika ashtu edhe tërbimi. Qentë u shastisën. Kush ishte më i rrezikshëm: njeriu që shtinte nga frika apo njeriu që shtinte nga tërbimi? Sepse njeriu që shtinte nga frika, shtinte për të vrarë frikën e vet, njeriu që shtinte nga tërbimi shtinte për të mbjellë frikën. Që nga ai çast tytat ishin ulur edhe më shumë, njeriu mund të qëllonte ndaj çdo gjëje që do ta trembte, kërcënonte apo edhe do guxonte t’i afrohej. Ai dyshonte te të gjithë. Dyshimi kishte lindur pas tërbimit të parë, kur kishte vetëm rrëmujë dhe njerëzit i kishte pushtuar një gëzim i egër, sikur ta kishin gjetur pas shekujsh kërkimi. Për qentë koha e bukur kur njeriu nuk e kishte gjetur vetveten, kishte ikur dhe nuk do të kthehej më. Qentë u dëshpëruan sepse brenda tyre u vra çdo shpresë se njeriu një ditë do harronte se ishte njeri dhe do të vihej në kërkim të gjetjes së njeriut të humbur. Gjersa ta gjente do kalonin përsëri shekuj dhe shekuj. As vetë qentë nuk e dinin përse thoshin shekuj dhe nuk thoshin vite, sikur vitet të ishin shuar nga kujtesa e tyre. Sepse tërë ai tërbim që kishte përfshirë njerëzit mund të shpjegohej vetëm me dëshpërimin e një kërkimi të gjatë, që u kishte dalë papritmas para, pikërisht kur nuk e prisnin, në formën më të habitshme, në formën e vrasjes së vetvetes. Dukej sikur njeriu kishte vendosur të zhdukej dhe nga hiri i tij të lindte një qenie tjetër, që të mos dinte çfarë ishte një armë, çfarë ishin kazanët e plehrave, thertoret, dyqanet e mishit, mensat, konviktet, kopshtet e fëmijëve, lokalet, restorantet. Sado e përkryer të ishte ajo qenie, kishte për të shfarosur çdo gjë. Të parët që do të zhdukeshin pas njeriut do ishin qentë. Sepse qentë e donin njeriun. Ky ishte fati i tyre, të cilin e kishin pranuar me përulësi dhe nuk ishin ankuar as edhe një herë të vetme.

Kur në mesnatë të shtënat ushtuan nga çdo anë, qentë e thertores së braktisur vendosën të dilnin jashtë saj. Ata po e bënin këtë flijim të bindur se kishin ardhur në këtë botë për hir të këtij flijimi. Asnjë prej tyre nuk kishte ardhur në këtë botë për të bërë dashuri, për të pjellë, për të ruajtur racën, secili kishte ardhur në këtë botë për të bërë flijimin e fundit, për t’i treguar njeriut se nuk duhej të zhdukej, se duhej të jetonte, se nuk duhej të vriste vetveten. Këtë do ta bënin duke dalë jashtë, duke shkuar te kazanët e plehrave, te dyqanet e mishit, te mensat, lulishtet, lokalet, restorantet, konviktet, hotelet. Duke i parë në rrugët e shkreta e të braktisura, ndoshta njeriu do të përmendej dhe do kujtohej se dikur ai qytet kishte qenë i qetë. Njeriu, duke parë qentë, ndoshta do vazhdonte të kërkonte vetveten dhe, ndoshta, do gjente një trajtë më… më… Qentë patën frikë të shtonin më njerëzore. Dhe u ngushëlluan duke menduar se nuk u takonte atyre të përcaktonin çfarë trajtë do të kishte gjetja. Rëndësi kishte që njeriu të mos mendonte se e kishte gjetur veten në ato dy ditë dhe dy net.

Dhe sapo dolën nga dyert, të çarat e mureve, dritaret, ballkonet, tarracat, çatitë mbi ta u derdhën tërë ato breshëri të shtënash. Dhe në agoninë e fundit të vdekjes qentë ndjenë me dhimbje se kishin bërë flijimin më të kotë në këtë botë që mund të bënin ndonjëherë.

Ishte viti 1997…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhevdet Shehu Moikomi është i paimagjinueshëm! Kështu ia thosha shpesh…