Terence Crawford mposhti Canelo Alvarez dhe arriti një sukses historik në boks

14 shtator 2025 | 12:22

Terence “Bud” Crawford (42-0) ka hyrë përfundimisht në librat e historisë së boksit pas fitores ndaj Saul “Canelo” Alvarez (63-3) në Las Vegas.

Amerikani triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve (115-113, 115-113, 116-111) dhe u bë boksieri i parë që bashkon të gjithë titujt më të rëndësishëm botërorë në një kategori të tretë të ndryshme peshe.

Crawford, i cili më parë kishte sunduar në peshat super të lehta dhe welterweight, guxoi të sfidonte Canelon në divizionin super të mesëm, tre kategori mbi peshën e tij natyrale, raporton Telegrafi.

Para 70,000 spektatorëve në arenën e Las Vegasit, pas 12 raundeve të zjarrta, ai doli fitues dhe mbeti i pamposhtur.

Për Canelon, kjo ishte humbja e tretë në karrierë, pas atyre ndaj Floyd Mayweather Jr. dhe Dmitry Bivol. Megjithatë, meksikani mbetet një prej emrave më të mëdhenj në historinë e sportit, edhe pse këtë herë u detyrua të përulej para mjeshtrisë së amerikanit.

Ndeshja, e organizuar nga Turki Alalshikh dhe Dana White, është cilësuar si më e shikuara e boksit në 50 vitet e fundit, duke marrë një shtysë të madhe edhe nga fakti se u transmetua falas për abonentët e Netflix.

Në aspektin financiar, kontrasti ishte i madh: Crawford fitoi rreth 10 milionë dollarë për suksesin e tij historik, ndërsa Canelo, pavarësisht humbjes, inkasoi plot 150 milionë dollarë.

Me këtë fitore, Crawford vulosi statusin e tij si një nga boksierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke shënuar një epokë të re në sportin e dorës së hekurt.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 14:00 do të nis protesta për drejtësi për…