“Tërheqim trupat nga Spanja e Italia”, Trump: Nuk na ndihmuan kur kishim nevojë, ishin të tmerrshëm!
Përplasja e presidentit amerikan Donald Trump me aleatët europianë për luftën me Iranin merr dimensione të reja. Pasi sugjeroi se do të reduktonte trupat amerikane në Gjermani, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi një lëvizje të ngjashme edhe në Spanjë dhe Itali.
“Po, ndoshta, ndoshta do ta bëj. Italia nuk ka qenë aspak ndihmë për ne. Dhe Spanja ka qenë e tmerrshme. Absolutisht e tmerrshme. Ne i kemi ndihmuar ata me Ukrainën. E di, ata e bënë rrëmujë Ukrainën, një rrëmujë totale. Dhe ne i ndihmuam edhe pse Ukraina nuk ka asnjë lidhje me ne, jemi të ndarë nga një oqean. Ka të bëjë me ta”, tha Trump.
Presidenti shtoi se lufta e udhëhequr nga SHBA në Iran ndihmon të gjithë botën, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Gjermaninë, dhe kritikoi atë që i cilësoi “të ashtuquajturit aleatë” për mospjesëmarrje në përpjekjen për të eliminuar kërcënimin bërthamor.
Retorika e Trump ndaj aleatëve është përshkallëzuar ndjeshëm kohët e fundit, ndërsa një memo e brendshme e Pentagonit tregoi edhe qëllimin për të ndëshkuar aleatë si Spanja e Britania e Madhe për mungesën e bashkëpunimit me Iranin.
Paralajmërimi fillestar për tërheqje trupash nga Gjermania erdhi pasi kancelari Fridrih Merz kritikoi administratën Trump për mungesë strategjie dhe tha se Irani po poshtëronte amerikanët.



