
Tërmet i fortë dridh Greqinë, lëshohet paralajmërimi për cunami
Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter u regjistrua sot rreth dy orë në zonën detare 20 kilometra në jug-jugperëndim të ishullit Kasos, në lindje të Kretës, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.
Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 64.4 kilometrash, raportoi Katimerini. Tërmeti u ndje pranë Kretës, si dhe në ishujt Rodos dhe Kos, si dhe në disa pjesë të Turqisë, dhe si masë paraprake u lëshua një paralajmërim për cunami, shkruan euronews.
Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme të rënda materiale. Presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) dhe profesori i gjeologjisë, Efimios Lekas, tha se thellësia prej 60 kilometrash ishte një tipar kyç i këtij tërmeti, pasi uli intensitetin në sipërfaqe.
Sipas përshkrimeve të para të banorëve, nuk u regjistrua asnjë ndikim i rëndësishëm i tërmetit. Lekas theksoi se tërmete të tilla në atë thellësi zakonisht ndodhin si ngjarje individuale, pa aktivitet të theksuar para ose pas sizmik.
Ai shtoi se tërmeti ndodhi në “Harkun Grek”, vendin ku përplasen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane.
Duke komentuar mbi lidhjet e mundshme me tërmetet e fundit në Santorini dhe Turqi, Lekas theksoi se nuk ka lidhje, pasi kushtet gjeotektonike janë të ndryshme.