Tërmet i fortë pranë centralit bërthamor në Japoni
Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë goditi rajonin perëndimor japonez të Chugoku këtë mëngjes, i ndjekur nga një seri lëkundjesh të forta pasuese, tha Agjencia Meteorologjike Japoneze.
Agjencia tha se epiqendra e tërmetit të parë ishte në Prefekturën lindore Shimane dhe nuk kishte kërcënim për cunami. Chugoku Electric Power, e cila operon Centralin Bërthamor Shimane, rreth 32 kilometra (20 milje) nga epiqendra, tha se operacionet në Njësinë 2 po vazhdonin normalisht.
Komisioni Rregullator Bërthamor i Japonisë konfirmoi gjithashtu se nuk u raportuan anomali pas tërmetit. Njësia 2 e termocentralit bërthamor u rifillua në dhjetor 2024, hera e parë që kur të gjitha termocentralet bërthamore të Japonisë u mbyllën pas katastrofës së Fukushimës në mars 2011.
Tërmeti kishte një intensitet sizmik prej pesë ballësh në shkallën japoneze prej një deri në shtatë, mjaftueshëm i fortë për ta bërë të vështirë ecjen pa mbështetje. Operatori hekurudhor West Japan Railway tha se shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë në seksionet e prekura u pezulluan përkohësisht për shkak të tërmetit.



