Termini

04 shkurt 2022 | 15:38

ALBIN MEHMETI

 Se pse nuk erdhi nuk e mori vesh askush. U përhapën fjalë nga më të ndryshmet, por askush nuk e diti të vërtetën. Ndoshta nuk e diti as vetë ai. Se pse nuk erdhi nuk e diti askush, por që nuk erdhi e morën vesh të gjithë. Edhe ti që nuk ke qenë në rrjedha, tani po e kupton se dikush nuk ka shkuar diku.

***

Vetëm një llambë tavoline bënte dritë, edhe ajo e zbehtë. Në të dyja anët e tavolinës ishin ulur nga një person. Njëri mbante kokën poshtë e tjetri e godiste lehtas tavolinën me gishtin tregues, të mesëm, të unazës dhe të voglin. Mbase teksa lexoje këtë përshkrim të vajti mendja te hetuesia. Po pra, në njërën anë ishte hetuesi e anën tjetrën ishte i hetuari. Besoj që fare lehtë e dini se cili është cili. Këtë situatë e kam parë shpesh në filma, andaj ashtu edhe e përshkova. Nuk e di nëse e morën këtë skenë filmat nga hetuesitë apo hetuesitë e morën nga filmat. Nuk ka për të më zënë gjumi gjithë natën derisa ta zbuloj. Ndoshta pas këtij zbulimi do të laureohem me ndonjë çmim prestigjioz. Ndoshta edhe do të më quajnë fanari i dijes. Anyway do të thoshin anglezët, u laureova a s’u laureova, dikush gjendet para hetuesit dhe ka nevojë për t’i qëndruar pranë. Ndoshta është ai dikushi që nuk ka shkuar diku. Maybe, do të thoshin anglezët. Anglezët mund edhe mos të thoshin fare maybe. Pra, edhe mund të jetë, edhe mund të mos jetë.

***

Dashamiri po gëlonte nga thashethemet pse ai nuk kishte shkuar në orarin e caktuar. Në Dashamir mosrespektimi i orarit të floktari ishte ekuivalente me blasfeminë. Ruana Zot, do të thoshin pleqtë në oda.

***

Hetuesi: Do të thotë se ti nuk e do Dashamirin, ë?

I hetuari: E dua më shumë se jetën.

Hetuesi: Dëshmoma!

I hetuari: E dua sepse këtu jetoj.

Hetuesi: Këtu jetojnë edhe qeni e macja ime, por për ta atdhe është vendi ku hanë e asgjë më shumë. Dëshmoma me vepra e jo me fjalë e me këngë që mbase i dëgjon.

I hetuari: Punoj për këtë vend.

Hetuesi: Sa punon?

I hetuari: Shumë.

Hetuesi: Sa është kjo shumë?

I hetuari: Nga mëngjesi në mbrëmje. Ndonjëherë nga mbrë­mja deri në mëngjes.

Hetuesi: Eh, shumë mirë! Dole aty ku desha. A zgjohesh herët?

I hetuari: Varet se kur kam për të punuar.

Hetuesi: Kur je zgjuar të premten në mëngjes?

I hetuari: Më vonë.

Hetuesi: Pse?

I hetuari: Sepse të premten e kam pushim.

Hetuesi: Do të thotë për punë zgjohesh herët?

I hetuari: Po. Ndonjëherë zgjohem edhe për të tjera arsye.

Hetuesi: Do të thotë të premten e ke pasur edhe ndonjë arsye për t’u zgjuar.

I hetuari: Atëherë, pse nuk u zgjove?

Hetuesi: Nuk më doli gjumi.

***

Në dhjetë vjetët e fundit nuk kishte ndodhur asnjëherë një rast i tillë. U alarmuan të gjithë, i madh dhe i vogël. Po fyhej nderi i Dashamirit. Karrigia e berberit mbeti e zbrazët për pesëmbëdhjetë minuta. Termini i caktuar për Mehmet Bardhjanin dështoi, apo më mirë të themi Mehmetit i iku termini.

***

Hetuesi: Pse s’e do Dashamirin?

I hetuari: E dua.

Hetuesi: Po ta doje do të zgjoheshe herët të premten dhe do ta kryeje detyrën patriotike që ta kanë caktuar shteti dhe populli.

I hetuari: Gjumi më ka tradhtuar.

Hetuesi: Dhe ti e tradhtove Dashamirin.

I hetuari: Të lutem mos më quaj ashtu. S’kam bërë gjë.

Hetuesi: Bash që s’ke bërë e ke tradhtuar. Atdheu tradhtohet edhe me mendje e me plane djallëzore. Ti e pate një të tillë. Pak po të duket, ë?

I hetuari: S’e kam bërë me qëllim. Gjumi është vëlla i vdekjes.

***

Disa herë brenda ditës e kishte menduar vetëvrasjen. E dinte se nuk do t’i besonte askush. Ishte e vërtetë që atë e kishte tradhtuar gjumi, por kjo nuk do të pranohej nga populli e shteti. Epiteti i tradhtarit nga populli dhe dënimi kapital nga shteti po e priste.

***

Hetuesi: Mos rastësisht deshe ta sabotosh punën e berberit?

I hetuari: Asnjëherë!

Hetuesi: A e di se po e mendove këtë, e lere më po e provove ta bësh, kjo është tradhti?

I hetuari: E di.

Hetuesi: Atëherë pse?

I hetuari: Të thashë se nuk më doli gjumi.

Hetuesi: Ka diçka më shumë këtu. Ti po refuzon të dukesh si i gjithë populli dhe kryetari ynë. Ti po dëshiron të dukesh superior.

***

Para dhjetë vjetëve në krye të Dashamirit erdhi Aziz Fusha. Atë kohë Dashamiri ishte i përçarë. Dashamirasit donin t’ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit. Sapo erdhi në pushtet, Aziz Fusha deshi ta vendoste paqen. I bëri vëllam armiqtë e dikurshëm. Me një dekret dha urdhër që të gjithë të dukeshin njëjtë për kah modeli i flokëve. Si model mori formën e flokëve të tij. Për të mos pasur ndonjë ndryshim angazhoi një kompani të berberëve. Termini për të shkuar aty vendosej nga Instituti për Barazi, Pajtim e Floktari.

***

Hetuesi: Se për pak harrova, si e pate emrin?

I hetuari: Mehmet. Mehmet Bardhjani.

Hetuesi: Mehmet, a e di se ti ke fyer të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e Dashamirit?

I hetuari: E di, por unë s’kam bërë gjë.

Hetuesi: A e di se mund të mbetesh në burg përjetësisht?

I hetuari: E di.

Hetuesi: A je i penduar?

I hetuari: Po të kisha bërë diçka me qëllim, do të pendo­hesha.

Hetuesi: Unë e përfundova timen. Shihemi në gjyq!

***

U numërua si një ndër gjyqet më maratonike në historinë e gjyqësorit dashamiras. Asnjëra palë nuk kishte argumente, përveç epiteteve të njëpasnjëshme tradhtar dhe atdhetar. Verdikti final u dha. Mehmet Bardhjanit iu dha dënimi kapital, burgi­mi i përjetshëm për akuzat për tradhti kombëtare dhe sabo­tim. Para se t’ia vinin prangat nxori nga xhepi një shkrepëse dhe ia vuri flakën flokëve. E morën me të shpejtë dhe e dërguan në spital. Pati implikime të rënda dhe vdiq në spital.

Këtu do të niste gjithçka. Populli u revoltua. Për ditë të tëra refuzuan t’i shkurtojnë flokët. Më pas shpërthyen protestat e demonstratat. U ngritën i madh dhe i vogël. Pas disa jave, game over për Azizin do të thoshin amerikanët e anglezët së bashku. Ai ra nga pushteti.

Pas një hetimi të gjatë dhe një gjyqi më maratonik sesa ndaj Mehmet Bardhjanit, u zbuluan shumë të vërteta. Qëllimi i Azizit nuk ishte barazia mes qytetarëve, por për t’i ndihmuar kompanisë së floktarisë së mikut të tij. Pas disa javëve, edhe populli edhe ligji dhanë verdiktin për Aziz Fushën e floktarin. Thanë se i dënuan me burgim të përjetshëm.

Ashtu më kanë thanë se aty nuk jam kanë, do të thoshin rapsodët.

Përralla në Golesh dhe e mira prej nesh, do të thoshin andej kah Drenica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur konferenca statutore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të…