Tërmkolli: Kurti natën e nisi hakmarrjen

26 mars 2020 | 11:20

Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, po e quan gjest të ulët dhe shenjë hakmarrjeje veprimin e Albin Kurtit i cili e liroi nga detyra zëvendëskryeministrin e parë, Avdullah Hotin, menjëherë pasi Kurti u shkarkua nga posti i kryeministrit në Kuvendin e Kosovës. Tërmkolli e ka quajtur Kurtin nxënës të Rexhep Qosjes e Adem Demaçit.

Tërmkolli thotë se egoja e Kurtit për pushtet absolut është mbi shtetin dhe mbi popullin.

Ajo e ka quajtur hakmarrje veprimin e Kurtit për ta shkarkuar zëvendëskryeministrin e parë, Avdullah Hotin, i cili është nga radhët e LDK-së.

“Kryeministri i shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me më shumë se 2/3 e votave, Albin Kurti, në terrin e natës e paska “liruar” nga detyra zv/kryeministrin Avdullah Hoti. Hakmarrje! E ulët edhe për një person të rëndomtë lëre më për një “kryeministër! Tërë ditën foli kundër veprimeve të natës e si për çudi vetë paska ra në kurthin e natës. Ky është kryeministri i shkarkuar. Egoja dhe etja e tij për pushtet absolut është mbi shtetin, mbi popullin”, thotë Tërmkolli.

Tërmkolli ka përmendur edhe kohën në të cilën vendi po kalon për shkak të virusit Covid-19, duke thënë se Kosova nuk ia pati borxh shkarkimet e as rrëzimin në kohë koronavirusi.

Ndërkohë, ajo ka komentuar fjalimin e Kurtit në seancën e djeshme të Kuvendit, ku ai e përmendi gjakderdhjen për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe gjendjes së jashtëzakonshme, Tërmkolli thotë se ai e përmendi këtë si mësuesit e tij, Rexhep Qosja e Adem Demaçi.

“Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Albini dje përmendi edhe gjakderdhje, ashtu si mësuesit e tij Rexhep Qosja e Adem Demaçi, të etur për gjak shqiptarësh, për “revolucione demokratike”. Këtë e kanë në gjak, e kanë ideologji, lajtmotiv jetësor! Por janë të humbur, nuk do t’i lejojmë! “No pasaran Albin, No pasaran!”, shkruan Tërmkolli në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 21-vjeçare ka qenë viktima e parë më e re…