‘Termokos’-i do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50 për qind të lagjeve të Prishtinës

23 janar 2020 | 13:23

Kryeshefi ekzekutiv i ‘Termokos’, Arsim Fetahu gjatë një konference për media, ka bërë me dije të enjten se furnizimi me ngrohje gjatë vitit 2019 ka qenë më i mirë se vitet paraprake.

Ai ka deklaruar se sivjet do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes në 50 për qind të lagjeve në Prishtinë, nga 28 për qind sa ishte deri më tani.

“Viti i kaluar ka qenë më i suksesshmi në historinë e ‘Termokos’-it, duke pasur parasysh të arriturat të cilat do t’i shpalosim. Gjatë vitit 2019 furnizimi me ngrohje ka qenë shumë i mirë, ku pjesa dërmuese e konsumatorëve tanë janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes. Gjithashtu dallim këtë vit ka bërë edhe furnizimi kualitativ i ngrohjes së Kodrës së Diellit, i cili deri tash ka pasur probleme të theksuara, mirëpo për fat të mirë është rregulluar. Prodhimi i energjisë termike ka qenë 232.246 MWh, ka rritje 5 për qind në vitin 2019 me shumë se në vitin 2018, që ka qenë prodhimi më i madh që ka qenë ndonjëherë në Termokos. Liferimi i energjisë termike ka pasur rritje për 9.6 për qind në raport me vitin 2018”, është shprehur Fetahu.

Sipas tij, humbjet e energjisë gjatë vitit 2019 kanë pasur rënie nga 10 për qind në 8 për qind, që është shumë e rëndësishme për përmbushjen e nevojave në aspektin teknik.

Fetahu ka thënë se lagjet që do të jenë prioritet i ‘Termokos’-it për vitin 2020, janë fillimisht ‘Ulpiana’, ‘Dardania’ dhe ‘Mati 1’.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tottenham Hotspur arriti të rikthehet tek fitoret në ndeshjen ndaj…