
Tërnava citon pjesë të Kur’anit: Viktimat e dhunës seksuale s’kanë përgjegjësi faji
Në Prishtinë është duke u mbajtur konferenca “Të gjithë së bashku me një zë” në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka thënë se trajtimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale është një sfidë me të cilën Kosova ende vazhdon të përballet.
Sipas Tërnavës, krimet e kryera gjatë luftës ndaj popullatës civile duhet të kategorizohen në krime të luftës derisa keqbërësit duhet ta marrin dënimin e merituar.
Tërnava ka bërë me dije se të gjithë ata ose ato që kanë pësuar gjatë luftës janë të falur. Në këtë kontekst, ai ka cituar edhe pjesë të Kur’anit ku sipas tij tregohet falja e tyre.
I pari i BIK-ut ka thënë se ata/ato që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk kanë përgjegjësi faji dhe janë vetëm viktima, si çdo viktimë tjetër e luftës.
Tërnava ka kërkuar integrim të kësaj kategorie në shoqëri. Kryetari i BIK-ut ka shprehur mbështetjen e tij edhe për organizatat që janë marrë me trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale. /KK/