Tërnava: Po tentohet njollosja e UÇK-së dhe barazimi me regjimin e Millosheviqit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një reagim përmes faqes së BIK-ut në “Facebook”, Tërnava ka vlerësuar se kjo kërkesë është e pabazuar dhe e padrejtë, duke e cilësuar atë si një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë dhe sakrificës së tyre.
“Kërkesa e prokurores së Dhomave të Specializuara në Hagë, për dënim me burg prej 45-vjetësh për secilin nga udhëheqësit e UÇK-së, njëkohësisht edhe udhëheqës të shtetit të Kosovës në këtë proces, përveçse është e pabazuar dhe e padrejtë, përbën edhe një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë. Një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme, sulm ndaj heronjve që dhanë jetën për liri dhe përpjekje e hapur për njollosjen dhe degradimin e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare”, ka shkruar Tërnava.
Sipas myftiut Tërnava, një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe përpjekje për njollosjen e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare.
“Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht. Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, ka shkruar Tërnava.



