
Terry heq dorë nga ambicia për t’u bërë trajner
Legjenda e Chelseat, John Terry, ka deklaruar se ka hequr dorë nga përpjekjet për t’u bërë trajner kryesor, pas disa refuzimeve që ka marrë gjatë aplikimeve për role menaxheriale.
Ish-qendërmbrojtësi ka punuar më parë si trajner ndihmës nën drejtimin e Dean Smith tek Aston Villa dhe Leicester, pasi i dha fund karrierës si lojtar në vitin 2018.
Shumë bashkëkohës të Terryt si Alonso, Fabregas, Gerrard, Lampard dhe Arteta, kanë arritur tashmë të sigurojnë punë si trajnerë, gjë që, sipas tij, ka qenë surprizuese. Terry u shpreh për “The Sun”: “Kam mbaruar me idenë për t’u bërë trajner. Po e shijoj jetën time, punoj me kohë të pjesshme në akademinë e Chelseat, punoj me fëmijët dhe u përcjell përvojën time. Kam kohë për veten, luaj golf, kaloj kohë me familjen, është një ekuilibër i përkryer”.
“Kam shumë atribute për të qenë një trajner i mirë, por kjo nuk ndodhi. Tani jam i fokusuar tek akademia dhe po e shijoj jetën”, ka shtuar legjenda angleze.