Tetë mjekë e infermierë në Prizren dolën pozitiv me Covid-19, pritet të testohen edhe 34 persona
Tetë mjekë e infermierë të Spitalit Rajonal të Prizrenit mbrëmë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19. Ata janë raste kontakti të infermieres, e cila doli pozitive para dy ditësh. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë drejtori për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu.
Shehu i ka thënë “Express”-it se nga rastet e konfirmuara mbrëmë, tetë prej të infektuarve janë punëtorë shëndetësor të Spitalit rajonal të Prizrenit dhe një rast është familjar i infermieres, që rezultoi pozitive para dy ditësh.
“Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja me koronavirus në Prizren. Tetë prej të infektuarve janë nga Spitali Rajonal i Prizrenit dhe vetëm një është familjar. Në mesin e të infektuarve nga Spitali i Prizrenit janë mjekë e infermierë, sa kam informacione nga reparti i dializës”, ka thënë Shehu.
I pari i shëndetësisë në këtë komunë, ka deklaruar se sot pritet të bëhet testimi i së paku 34 personave, që kanë pasur kontakt me të infektuarit.
“Sot pritet që të testohen 34 mostra, por ka mundësi që gjatë ditës të shtohen edhe 10 mostra, ende nuk është e sigurt”, ka thënë Shehu.
Mbrëmë janë konfirmuar 39 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Me këtë shifër, numri i të gjithë të infektuarve shkon në 669 raste. Deri tani janë shëruar 159 të infektuar, derisa 19 të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin.



