Teuta Haxhiut nuk i mjaftojnë rreth 9 mijë vota për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës
Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor ka arritur të marrë rreth 9 mijë vota, megjithatë këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Arsyeja kryesore lidhet me numrin e vogël të mandateve të fituara nga AAK-ja, e cila në këto zgjedhje ka siguruar gjithsej gjashtë deputetë – katër burra dhe dy gra. Deputetët që kanë arritur të fitojnë mandat nga radhët e AAK-së janë: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadriaj dhe Albana Bytyqi.
Pas publikimit të rezultateve, Haxhiu ka falënderuar publikisht qytetarët për mbështetjen e dhënë. Ajo ka vlerësuar votat e marra si një forcë shtesë për angazhimin e saj të mëtejmë publik. “Të nderuar bashkëvendës, miq, shokë e shoqe, njerëz të respektuar gjithandej! Faleminderit nga zemra për gjithë mbështetjen e fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Rreth 9 mijë vota që më besuat, për mua janë krenari dhe forcë për të qenë gjithnjë kjo që jam. Përjetësisht falënderuese”, ka shkruar Haxhiu.



