Thaçi: E rrezikova jetën jo për kontroll, por për liri, isha në kontakt të vazhdueshëm me ShBA-në

18 shkurt 2026 | 14:33

Ish-presidenti Hashim Thaçi është deklaruar plotësisht i pafajshëm në fjalën e tij përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ka thënë se plane morbide po bënte vetëm Sllobodan Millosheviqi dhe për këtë shkak tha se u detyrua fillimisht ta lëshonte vendin.

“Duke i parë masakrat në popullin tim, unë, si edhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se në pranverën e vitit 1998 u kthye në Kosovë sepse tha se nuk mund të qëndronte anash kur familja dhe populli po përballej me shfarosje.

“Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se e ka të rëndë t’i dëgjojë këto akuza, kur ka theksuar se s’ka qenë i sigurt nëse do ta shihje sërish familjen.

“Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe për ta rrezikuar jetën time për liri dhe paqe”, ka thënë ai.

Thaçi ka pyetur se prej kujt do ta merrte kontrollin, kur ai ishte në duart e Millosheviqit, duke iu referuar kështu akuzave të Prokurorisë.

Ai ka thënë se ishte “në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të administratës amerikane”.

“Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte. Nuk do të kishte as pavarësi të Kosovës. Prandaj pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet”, ka thënë Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti Hashim Thaçi është duke folur për herë të fundit…